Çeku: Abdixhiku po ndryshon qëndrim, kërkon kryeministrin me çdo kusht

12.03.2025

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, nga Vetëvendosje i ka reaguar ashpër kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar për ndryshim të qëndrimit dhe për kërkesë të papranueshme për postin e kryeministrit.

Reagimi i Çekut erdhi pas deklaratës së Abdixhikut se LDK nuk do të hyjë në koalicion me partitë opozitare pa postin e kryeministrit, duke përjashtuar njëkohësisht edhe koalicionin me Vetëvendosjen, partinë fituese të zgjedhjeve.

Çeku e cilësoi këtë deklaratë si kontradiktore me qëndrimin e mëhershëm të Abdixhikut, duke theksuar se vetëm pak ditë pas zgjedhjeve, ai kishte pranuar humbjen dhe kishte respektuar preferencën e qytetarëve.

“Është mirë që z. Abdixhiku të na tregojë për cilat fjalë ta mbajmë. Më 12 shkurt shkroi në FB se “LDK nuk i ka fituar zgjedhjet…” dhe se “…ky rezultat nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën, sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë.” Tash, paska thënë që, nëse ia japin postin e Kryeministrit, atëherë e rrëmben pushtetin. Cilin Lumir të mbajmë për fjale? Atë që thotë se LDK s’ka fituar dhe se ky nuk është rezultat ndryshimi, apo Lumirin tjetër, i cili thotë që s’ka rëndësi fituesi dhe preferenca e qytetarit? Po tash, si mund të bëhesh kryeministër në një palë zgjedhje që i ke humbur, e ku fituesi është afër trefish larg teje? Kjo i bie të bëhesh kryeministër me çdo kusht”, deklaroi Çeku.

Ai e akuzoi Abdixhikun për “standard mashtrimi” të ngjashëm me të kaluarën, duke vënë në dyshim edhe transparencën e procesit të votimit me postë.

“Deri tash, të vetmet fjalë që i ka mbajtur janë ato për sa vota janë në kutitë e votimit me postë. Aty e ka ditur ende pa filluar numërimi”, shtoi Çeku.

Kujtojmë se para disa ditësh, Abdixhiku kishte deklaruar se LDK do të ishte e hapur për koalicion me partitë opozitare vetëm nëse i ofrohet posti i kryeministrit dhe arrihet marrëveshje për postin e presidentit.

LDK doli e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit, pas Vetëvendosjes dhe PDK-së.