Afati po skadon: Suhareka, komuna e dytë me më shumë votues të regjistruar nga diaspora
Me afrimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, emigrantët shqiptarë nga Kosova po shfaqin një interes të madh për të votuar.
Kanë mbetur vetëm tre ditë deri në përfundim të afatit për aplikimin e votuesve me postë, një mundësi që po shfrytëzohet në masë të gjerë.
Sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), numri i aplikimeve ka arritur në 35,381. Shqetësim mbetet numri i lartë i aplikimeve të refuzuara. Arsyeja kryesore është mungesa e dokumenteve që vërtetojnë adresën e tyre jashtë Kosovës.
Suhareka renditet e dyta në listën e komunave me numrin më të madh të qytetarëve të regjistruar për të votuar nga diaspora, me 2,129 aplikime. Kjo e vë pas Gjakovës (2,204) dhe para Dragashit (2,045). Këto shifra tregojnë një angazhim të lartë të mërgimtarëve suharekas për të marrë pjesë në procesin demokratik.
Nga të dhënat e publikuara nga KQZ-ja, theksohet se pjesa më e madhe e votuesve nga diaspora vijnë nga Gjermania (13,336) dhe Zvicra (7,132), vende me një numër të madh të komunitetit shqiptar.