105 të rinj në Suharekë votojnë për herë të parë në balotazhin e 9 nëntorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar listat përfundimtare të votuesve për komunat ku do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale më 9 nëntor 2025.
Foto: Ilustrim
Sipas vendimit të KQZ-së, personat që janë regjistruar si votues nga data 13 tetor deri më 9 nëntor do të kenë të drejtë të marrin pjesë në balotazh, në komunat ku gara për kryetar nuk ka përfunduar në raundin e parë.
Në njoftimin zyrtar të KQZ-së thuhet se në Komunën e Suharekës, listës së votuesve i janë shtuar 105 qytetarë të rinj, të cilët më 9 nëntor do të ushtrojnë për herë të parë të drejtën e tyre për të votuar. Po ashtu, 70 emra janë fshirë nga lista, si rezultat i vdekjeve ose humbjes së shtetësisë së Kosovës.

Balotazhi në Suharekë do të zhvillohet mes Bali Muharremajt nga AAK-ja dhe Ardian Shalës nga LDK-ja, të cilët garojnë për të drejtuar komunën për katër vitet e ardhshme.
KQZ ka bërë apel që të gjithë qytetarët të verifikojnë emrat e tyre në listat e votuesve dhe të jenë të përgatitur për të ushtruar të drejtën e votës në mënyrë të rregullt dhe demokratike.
Sipas institucioneve zgjedhore, procesi i përditësimit të listave dhe certifikimit të tyre është një hap i rëndësishëm për të garantuar transparencë dhe saktësi në zhvillimin e raundit të dytë të zgjedhjeve komunale.