LVV do të ankohet në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP-it

26.01.2021

Zyrtari ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu ka thënë se për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) do të ankohen në Gjykatën Supreme. Vendimi i PZAP-it thotë se Albin Kurti dhe disa kandidatë të tjerë të kësaj partie nuk do të mund të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sallahu përmes një […]

LVV do të ankohet në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP-it Foto: Ilustrim

Zyrtari ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu ka thënë se për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) do të ankohen në Gjykatën Supreme.

Vendimi i PZAP-it thotë se Albin Kurti dhe disa kandidatë të tjerë të kësaj partie nuk do të mund të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Sallahu përmes një postimi në facebook ka thënë se ky vendim i PZAP-it është antikushtetues.

Tutje ai ka njoftuar se Lëvizja Vetëvendosje brenda afatit ligjor do të bëjë ankesë në Gjykatën Supreme.

“Brenda afatit ligjor do të bëjmë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit antikushtetues të PZAP-së. Nuk do të ndalemi!” ka shkruar Sallahu në facebook.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave (PZAP), ka refuzuar pjesërisht ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje të paraqitur në PZAP, pas moscertifikimit të listës së kandidatëve për deputetë nga KQZ.

Sipas vendimit të publikuar nga PZAP, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi, nuk mund të certifikohen për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen më 14 shkurt të këtij viti.