Gjykata Supreme rrëzon padinë e Qeverisë ndaj Odës së Avokatëve të Kosovës
Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë si të palejueshme padinë e Qeverisë së Kosovës – Ministrisë së Drejtësisë, të parashtruar kundër Odës së Avokatëve të Kosovës.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimit të Odës së Avokatëve, me Aktvendimin P.A.nr.17/2026, Gjykata Supreme ka vlerësuar se çështja e ngritur përmes padisë nuk hyn në kompetencën e saj, duke e refuzuar atë në fazën fillestare procedurale, pa u shqyrtuar pretendimet në themel.
Oda e Avokatëve ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Supreme përbën konfirmim të rëndësisë së parimit të ligjshmërisë dhe të kufizimit të kompetencave institucionale në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Në reagimin e saj, Oda ka theksuar se do të vazhdojë të mbrojë autonominë e saj dhe kompetencat e garantuara me Ligjin për Avokatinë, duke kundërshtuar çdo veprim që, sipas saj, tejkalon autorizimet ligjore.
Vendimi i Gjykatës Supreme është përfundimtar dhe ndaj tij nuk lejohet ankesë.
