Duke nderuar dëshmorët, LVV – Suharekë e fillon fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit
Lëvizja Vetëvendosje dega në Suharekë, gjatë ditës së mërkurë ka filluar edhe zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. LVV me homazhe te “Parku i Dëshmorëve” ka hapur fushatën, ku morën pjesë kryetari i këtij subjekti dega Suharekë, Salih Zyba njëherit edhe kandidat për deputet si dhe kandidatja për deputete, Arbërie Nagavci e […]
Lëvizja Vetëvendosje dega në Suharekë, gjatë ditës së mërkurë ka filluar edhe zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
LVV me homazhe te “Parku i Dëshmorëve” ka hapur fushatën, ku morën pjesë kryetari i këtij subjekti dega Suharekë, Salih Zyba njëherit edhe kandidat për deputet si dhe kandidatja për deputete, Arbërie Nagavci e shumë aktivistë e qytetarë.
Lëvizja Vetëvendosje dega Suharekë përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “Dëshmorët nuk janë vetëm e kaluara e lavdishme e historisë tonë, ata janë motiv i të tashmes, dhe udhërrëfim i të ardhmes sonë, duke i nderuar ata e filluam fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit”.
Po ashtu gjatë ditës së sotme LVV në kuadër të hapjes së fushatës, me aktivistët formuan numrin 127, ku sipas këtij subjekti politik ky numër në këto zgjedhje është më shumë se një numër në garë, është numër referendumi.
“Me prezencën e kandidatëve për deputetë, Arbërie Nagavci dhe Salih Zyba, në kuadër të hapjes së fushatës, me aktivistë të Qendrës tonë, formuam numrin 127, i cili në këto zgjedhje është më shumë se një numër në garë, është numër referendumi”, thuhet në njoftim.
LVV dega Suharekë gjatë ditës së sotme ka vazhduar me aktivitete të tjera, e në mbrëmje kanë mbajtur takime të frytshme në Gjinoc e Gelancë.
Po ashtu ky subjekt politik ka premtuar se për 9 ditët e ardhshme do t’i intensifikojnë aktivitetet për fitoren e madhe të 14 shkurtit.
Kujtojmë se Salih Zyba në listën e kandidatëve për deputetë të LVV-së mban numrin 110, ndërsa Hysen Durmishaj garon me numrin 50.