“Shtyrja e zgjedhjeve lokale nuk duhet të jetë fare opsion”

07.09.2021

Deklarata e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca se për mendimin e tij sipas situatës me COVID-19 do duhej të shtyheshin zgjedhjet lokale, që jan paraparë të mbahen më 17 tetor 2021, ka ngjallur reagime të shumta. “Kjo nuk varet prej meje [shtyrja e zgjedhjeve] por nëse do të thoja mendimin tim personal unë […]

“Shtyrja e zgjedhjeve lokale nuk duhet të jetë fare opsion” Foto: Ilustrim

Deklarata e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca se për mendimin e tij sipas situatës me COVID-19 do duhej të shtyheshin zgjedhjet lokale, që jan paraparë të mbahen më 17 tetor 2021, ka ngjallur reagime të shumta.

“Kjo nuk varet prej meje [shtyrja e zgjedhjeve] por nëse do të thoja mendimin tim personal unë mendoj që zgjedhjet do të duhej të shtyheshin.

Sa i përket shtyrjes së zgjedhjeve mendoj që është kompetencë e presidencës. Por me sa di unë presidentja vendimin e saj e merr pas rekomandimit të IKSHPK’së”, ka deklaruar Konjufca.

Ndërsa, Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar pas këtyre deklarimeve e diskutimeve të shumta që po bëhen për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, si dhe pas kërkesës së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut për shkurtim të fushatës zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë.

Cakolli ka theksuar se shtyrja e këtyre zgjedhjeve nuk duhet të jetë fare opsion që të diskutohet, me ç’rast ka shtuar se fushata zgjedhore do jetë më e lehtë që të zhvillohet duke u orientuar në rrjete sociale.

“Në vend të shtyrjes së zgjedhjeve ose shkurtimit të periudhës së fushatës, duhet që të kufizohet lloji i akiviteteve të fushatës, duke mos lejuar numër të madh të qytetarëve në tubime, apo duke i ndaluar tërësisht ato. Sepse ato paraqesin problemin kryesor.

Mjafton vetëm të organizohen më shumë debate televizive, e fushata të orientohet nëpër rrjete sociale dhe platforma tjera të komunikimit elektronik”, ka shkruar Cakolli.

Po ashtu ai ka shkruar se: “Kur në mars të vitit 2020 ishte marrë vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë e pastaj në Mitrovicë të Veriut, kjo ishte bërë sepse as nuk e njihnim virusin, as nuk dinim si të mbroheshim prej tij, e as nuk kishim protokolle për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë pandemie. Në atë kohë madje ishim në e mesin e dhjetëra shteteve që i kishin shtyrë zgjedhjet për shkak të pandemisë”.

Reagimi i plotë:

Pse me i shty zgjedhjet?!

Kur në mars të vitit 2020 ishte marrë vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë e pastaj në Mitrovicë të Veriut, kjo ishte bërë sepse as nuk e njihnim virusin, as nuk dinim si të mbroheshim prej tij, e as nuk kishim protokolle për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë pandemie. Në atë kohë madje ishim në e mesin e dhjetra shteteve që i kishin shtyrë zgjedhjet për shkak të pandemisë.

Sot, situata është krejt ndryshe. E njohim më mirë virusin, dimë si të mbrohemi prej tij e kemi vaksina, si dhe kemi protokolle për mbajtjen e zgjedhjeve. Askush nuk i shtyen më zgjedhjet për shkak të pandemisë, e ne s’kemi pse të jemi të vetmit.

Ne kemi mbajtur dy palë zgjedhje në kohë pandemie. Përvoja nga to tregon që ka fare pak të ngjarë që rritja e rasteve të ketë ndodhur si pasojë e ditës së zgjedhjeve.

Ditën e zgjedhjeve ka pasur respektim relativisht të kënaqshëm të masave, si nga komisionerët ashtu edhe nga votuesit. Edhe për ato pak raste të mosrespektimit, ka zgjidhje. Zgjidhje janë kontrollet më të shpeshta dhe rigoroze nga institucionet përkatëse.

Rrezikun mund ta minimizojmë edhe më shumë nëse, ta zëmë, vendoset që askush nuk mund të jetë pjesë e stafit zgjedhor (veçanërisht komisionerë) nëse nuk është i/e vaksinuar. Bartja adekuate e maskës për votuesit në gjithë hapësirën e qendrave të votimit duhet të jetë obligative.

Problemi ka qenë dhe është mbajtja e fushatës, pavarësisht kohëzgjatjes. Jo e fushatës si e tillë, por e llojeve të aktiviteteve që organizoheshin nga pikërisht nga subjektet politike, ku merrnin pjesë numër shumë i madh i qytetarëve, pa respektuar asnjë masë.

Andaj, shtyrja e zgjedhjeve nuk duhet të jetë fare opsion. Jo vetëm për shkak të komplikimeve të shumta ligjore që do t’i kishte një vendim i tillë në raport me mandatin e institucioneve lokale.

Në vend të shtyrjes së zgjedhjeve ose shkurtimit të periudhës së fushatës, duhet që të kufizohet lloji i akiviteteve të fushatës, duke mos lejuar numër të madh të qytetarëve në tubime, apo duke i ndaluar tërësisht ato. Sepse ato paraqesin problemin kryesor. Mjafton vetëm të organizohen më shumë debate televizive, e fushata të orientohet nëpër rrjete sociale dhe platforma tjera të komunikimit elektronik.