Skandal në stacionin e Policisë në Prizren, zhduket kuleta me para dhe dokumente

15.09.2025

Një qytetar në Prizren ka gjetur një kuletë me 200 euro dhe dokumente, të cilën e ka dorëzuar në stacionin policor, por ngjarja ka marrë një kthesë të papritur.

Një zyrtar policor dyshohet se ka përvetësuar paratë dhe nuk e ka raportuar rastin, duke bërë që kuleta dhe dokumentet të zhduken.

Të hënën e kaluar, një qytetare gjeti një kuletë me 200 euro dhe dokumente personale në Prizren. Pa hezitim, ajo shkoi në stacionin policor dhe ia dorëzoi kuletën një polici të quajtur E. Gavazaj. Megjithatë, sipas të dhënave, polici dyshohet se nuk e ka regjistruar rastin në sistemin zyrtar dhe nuk ka kontaktuar pronarin, shkruan IndeksOnline.

Ngjarja u bë publike kur qytetarja bëri një postim në Facebook, ku shpjegoi se kishte gjetur kuletën dhe e kishte dorëzuar në polici. Kur pronari i kuletës u lajmërua, shkoi në stacion për të tërhequr sendet, por u ndesh me një situatë konfuze: Polici Gavazaj kishte mbajtur paratë, duke i kthyer ato vetëm më vonë, por kuleta dhe dokumentet ishin zhdukur. Po ashtu, nuk kishte asnjë fletë sekuestrimi dhe as të dhënat e qytetares që e kishte dorëzuar kuletën.

Pas kësaj situate, komandanti i stacionit policor në Prizren njoftoi menjëherë Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK). IPK ndërmori veprime të shpejta, duke transferuar zyrtarin e dyshuar në një njësi tjetër.

Në një përgjigje për mediat, IPK konfirmoi se po e heton rastin. “Aktualisht hetuesit e IPK-së janë në fazën e analizimit të informatave të pranuara dhe në bashkëpunim e konsultim me prokurorin kompetent, do të ndërmarrim veprimet e nevojshme ligjore lidhur me këtë çështje,” thuhet në deklaratën e tyre. Ky rast hedh dritë mbi rëndësinë e integritetit brenda institucioneve dhe rolin e qytetarëve në zbardhjen e rasteve të tilla.