Reshjet e borës lënë pa rrymë disa rajone të Kosovës

03.10.2025

Reshjet e dendura të borës që kanë përfshirë vendin mbrëmë dhe gjatë ditës së sotme kanë sjellë probleme në furnizimin me energji elektrike për një numër të konsumatorëve.

Si pasojë e motit të keq, janë shkaktuar prishje të ndryshme në rrjetin elektrik shpërndarës, duke lënë pa energji një numër të caktuar të familjeve dhe bizneseve.

Rajonet më të prekura nga këto ndërprerje janë Prishtina, Gjilani, Prizreni dhe Mitrovica, ku sipas njoftimit të Kompanisë Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), disa dalje (linja shpërndarëse) janë aktualisht jashtë funksionit.

KEDS-i ka bërë të ditur se ka mobilizuar ekipe shtesë edhe nga rajonet e tjera, për t’iu përgjigjur kësaj situate emergjente. Pavarësisht rrethanave të vështira në terren dhe qasjes së penguar shkaktuar nga bora, punëtorët janë duke u angazhuar maksimalisht.

Qëllimi kryesor është eliminimi sa më i shpejtë i dëmeve të shkaktuara në rrjet. KEDS kërkon mirëkuptim nga konsumatorët e prekur, duke theksuar se po punohet me përkushtim që furnizimi me energji elektrike të rikthehet në një afat sa më optimal.