Prizreni ndalon fishekzjarrët gjatë festave, lejohet përdorimi vetëm për një orë në ndërrimin e viteve
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka marrë vendim për ndalimin e ndezjes së fishekzjarrëve dhe përdorimit të mjeteve piroteknike në hapësira të hapura publike dhe në zona të banuara në tërë territorin e komunës.
Sipas urdhëresës së nxjerrë nga kryetari Totaj, kjo ndalesë do të jetë në fuqi nga data 25 dhjetor 2025 deri më 3 janar 2026, si pjesë e masave për menaxhimin e sigurisë dhe rendit publik gjatë festave të fundvitit.
Përjashtim nga ky vendim është bërë vetëm për natën e ndërrimit të viteve. Më 31 dhjetor 2025, qytetarëve do t’u lejohet përdorimi i fishekzjarrëve në intervalin kohor nga ora 23:30 deri në 00:30 të 1 janarit 2026, për një kohëzgjatje prej një ore.
Nga Komuna e Prizrenit u bëhet thirrje qytetarëve që ta respektojnë këtë urdhëresë, duke theksuar se masa ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, si dhe mbrojtjen e ambientit nga ndotja dhe zhurma e tepërt gjatë periudhës festive.
Autoritetet komunale kanë paralajmëruar se mosrespektimi i vendimit mund të shoqërohet me masa ndëshkuese, sipas legjislacionit në fuqi.