Prizren, iu sekuestrua drogë me vlerë rreth 300 mijë euro, kërkohet paraburgim për të pandehurin

13.08.2025

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit H.K., i cili ndodhet në ndalim 48-orësh, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Nga koha e pavërtetuar deri më 11 gusht 2025, në Prizren, i pandehuri dyshohet se ka shpërndarë, shitur dhe transportuar kokainë me qëllim shitjeje tek përdoruesit. Më 12 gusht 2025, pas marrjes së informatave se ai ishte duke ofruar për shitje narkotikë, policia bastisi banesën e tij në rrugën “William Walker”.

Gjatë kontrollit, janë gjetur dhe sekuestruar:

  • 3.3 kg kokainë në formë tullash të mbështjella me foli dhe qese
  • 1 kg kokainë me mbetje të saj
  • 19 qese me gjithsej 1.1 kg kokainë
  • 133 qese najloni me 36,62 gram kokainë
  • një qese me 0,32 gram kokainë
  • dy peshore elektronike
  • para në vlerë prej 260 euro
  • pajisje për vakumim të qeseve plastike
  • një motoçikletë “Piaggio Vespa”
  • një telefon mobil “iPhone 15 Pro Max”
  • një skalper dhe sasi e konsiderueshme qesesh plastike për paketim

Sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e drogës në tregun ilegal mund të arrijë deri në 300 mijë euro.

Prokuroria ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në luftën kundër kriminalitetit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.