Prokuroria Speciale: Rasti “SkyCC” – 33 të arrestuar dhe konfiskime prej rreth 80 milionë euro

22.12.2025

Prokuroria Speciale e Kosovës ka mbajtur sot një takim me ekipin e përbashkët për shënjestrimin e rasteve, ku në fokus ishte rasti i njohur si “SkyCC” ose “Qielli i Thyer”, një nga operacionet më të mëdha kundër krimit të organizuar në vend. Në këtë rast janë arrestuar 33 persona.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka deklaruar se vlera totale e konfiskimeve, duke përfshirë pasuritë e paluajtshme, paratë e gatshme dhe asete të tjera, arrin rreth 80 milionë euro. Ai e cilësoi këtë si një precedent të paprecedentë për nga vlera e sekuestrimeve në Kosovë.

“Sot kemi thirrur një takim me ekipin e përbashkët për shënjestrimin e rasteve. Kemi të bëjmë me një rast jashtëzakonisht të rëndësishëm që ka të bëjë me krimin e organizuar. Vlera e konfiskimeve shkon rreth 80 milionë euro. Është një rast që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë sa i përket kësaj vlere të sekuestrimeve”, tha Isufaj.

Ai shtoi se të gjithë të dyshuarit janë aktualisht në paraburgim dhe se Prokuroria Speciale po trajton rastin me prioritet të lartë. “Rasti është i ndjeshëm dhe i kemi të gjithë të dyshuarit deri më tani në paraburgim. Për ne ka prioritet jashtëzakonisht të madh. Hetimet po zhvillohen me profesionalizëm dhe prioritetin e duhur”, theksoi kryeprokurori.

Prokuroria Speciale rithekson angazhimin e saj për një hetim të plotë dhe transparent të rastit “SkyCC”, i cili konsiderohet një nga goditjet më të mëdha kundër krimit të organizuar në Kosovë.