Prizren, gjendet një person pa shenja jete në “Parkun Inovativ” – policia nis hetimet
Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Prizren, ku një burrë 55-vjeçar është gjetur pa shenja jete në hapësirat e “Parkut Inovativ”, i cili ndodhet në ish-kazermën ushtarake të qytetit.
Foto: Ilustrim
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se viktima është me inicialet B.B. Sipas tij, policia ka marrë informacionin për rastin rreth orës 13:35.
“Njësitë përkatëse policore kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimin e vendit, kanë mbledhur prova materiale dhe kanë marrë deklarata nga dëshmitarët,” deklaroi Bytyqi.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, me qëllim të përcaktimit të saktë të shkakut të vdekjes.
Policia ka iniciuar rastin si “Hetim i vdekjes” dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.