Mbyllen 8 biznese gjatë një muaji në rajonin e Prizrenit

11.11.2025

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat për ndërmarrjet e regjistruara dhe të shuar gjatë muajit shtator 2025. Sipas këtyre statistikave, gjatë këtij muaji në gjithë vendin janë mbyllur gjithsej 86 ndërmarrje.

Nga të dhënat që posedon SuharekaOnline bëhet e ditur se rajoni i Prizrenit, i cili përfshin edhe komunën e Suharekës, ka regjistruar gjithsej 8 ndërmarrje të shuar. Ky numër është i njëjtë me atë të regjistruar në rajonet e Gjilanit dhe Ferizajt.

Numrin më të madh të bizneseve të mbyllura e ka regjistruar kryeqyteti Prishtina, me gjithsej 30 ndërmarrje të shuar, ndërsa Mitrovica ka pasur gjithsej 20 biznese të mbyllura gjatë shtatorit.

Nga ana tjetër, numri më i vogël i ndërmarrjeve të shuara është shënuar në rajonin e Pejës, ku janë mbyllur vetëm 7 biznese, dhe në rajonin e Gjakovës, ku janë mbyllur vetëm 5 ndërmarrje.

Statistikat tregojnë një situatë të ndryshme të mbylljes së bizneseve nëpër rajone, duke nxjerrë në pah peshën e madhe të Prishtinës dhe Mitrovicës në numrin e bizneseve të shuar, krahasuar me rajone më të vogla si Peja, Gjakova dhe Prizreni.