AKP hap shpalljen publike për qiradhënien e 72 pronave në rajonin e Prizrenit
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka bërë publike shpalljen për qiradhënien e 213 aseteve atraktive të shpërndara në pesë rajonet kryesore të Kosovës.
Kjo paraqet një mundësi ideale për ndërmarrësit, veçanërisht ata të rinj, për të funksionalizuar bizneset e tyre duke shfrytëzuar këto prona.
Në rajonin e Prizrenit janë përfshirë 72 prona, që përfshijnë ngastra kadastrale në zona të përshtatshme, si dhe depo dhe objekte të tjera të dobishme për aktivitete komerciale dhe bujqësore.
Shpallja publike ka nisur sot, më 31 dhjetor 2024, dhe dorëzimi i ofertave do të bëhet më 14 janar 2025, nga ora 10:00 deri në 12:00. Ofertat duhet të dorëzohen në zarf të mbyllur për secilën njësi veç e veç në zyrat rajonale të AKP-së në Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjilan dhe Mitrovicë.
Hapja e ofertave dhe publikimi i çmimeve do të bëhet 15 minuta pas përfundimit të afatit të dorëzimit, duke filluar nga ora 12:15.
Kushtet dhe kriteret
- Periudha e qiradhënies: 1 vit, me mundësi vazhdimi, ndërprerje e parashikuar në rast të privatizimit.
- Qiraja: Përcaktohet mujore për shfrytëzim komercial dhe vjetore (sezonale) për shfrytëzim bujqësor.
- Kriteri për përzgjedhje: Çmimi më i lartë i ofertës.
- Garancionet: Për qiradhënie mbi 1,000 € në muaj, kërkohet garancion bankar apo garancion nga një kompani e licencuar sigurimesh, në vlerën e gjashtë qirave mujore sipas kontratës.
Si të aplikoni
Formularët për dorëzimin e ofertës mund të merren në Zyrat Rajonale të AKP-së ose të shkarkohen nga faqja zyrtare e internetit: www.pak-ks.org.
Për më shumë informacion mbi asetet e ofruara, vizitoni rubrikën “Shpallje” në faqen e AKP-së, ku mund të gjeni listat e pronave të disponueshme për qiradhënie dhe detaje të tjera të rëndësishme: Link për shpalljen.
Mundësi për zhvillim ekonomik
Kjo iniciativë synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe të krijojë mundësi të reja për bizneset e vogla dhe të mesme, duke vënë në dispozicion prona strategjike për përdorim komercial dhe bujqësor.