Rasti “Agrokosova & QMI vs. AKP” përfundon në arbitrazh, shteti shpenzon 1.5 milionë euro për mbrojtje ligjore
Një tjetër rast i privatizimit të kontestuar në Kosovë ka përfunduar në arbitrazh ndërkombëtar, duke detyruar Ministrinë e Drejtësisë të ndajë një shumë të konsiderueshme prej 1.5 milionë eurosh për të angazhuar një kompani austriake për mbrojtjen ligjore të shtetit.
Bëhet fjalë për rastin “Agrokosova Holding dhe QMI kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)”.
Fillimisht Ministria e Drejtësisë ka zotuar 2 milionë euro për këtë procedurë të prokurimit, ku nga tre operatorë ekonomik, kompania me seli në Vienë është shpallur fituese.
Konflikti ka fillesën në vendimin e AKP-së për të tërhequr aksionet dhe për të vendosur nën administrim të drejtpërdrejtë ndërmarrjen AgroKosova Holding, e njohur më parë si Ndërmarrja Bujqësore Industriale (NBI) Suhareka. Sipas AKP-së, kjo ndërmarrje ishte privatizuar më 27 gusht 2007 nga blerësit “Gruppo Vinicolo Fantinel” dhe “QMI”.
AKP arsyeton vendimin e saj me mospërmbushjen e zotimeve të marrëveshjes së privatizimit dhe me shkelje të rënda të kushteve të kontratës nga ana e blerësve. Për këtë arsye, agjencia thotë se është detyruar të marrë kontrollin e drejtpërdrejtë të ndërmarrjes.
Megjithatë, përfaqësuesit e AgroKosova Holding nuk janë pajtuar me këtë vendim dhe e kanë dërguar çështjen në arbitrazh ndërkombëtar, duke kërkuar drejtësi për atë që ata e konsiderojnë si veprim të padrejtë nga ana e AKP-së.
Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji që përfundon në arbitrazh. Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe me kompaninë “Suhareka Verari sh.p.k & Prorena kundër Republikës së Kosovës”. Edhe në këtë rast, pala e pakënaqur ka zgjedhur rrugën e arbitrazhit për të kërkuar zgjidhje.