Mbi 200 mijë hektarë pyje rikthehen nën menaxhim shtetëror, Muja: Një nga arritjet më të mëdha pasluftës
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka pranuar në menaxhim rreth 200 mijë hektarë prona pyjore, përmes një marrëveshjeje të nënshkruar me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Foto: Ilustrim
Marrëveshja u nënshkrua këtë të premte nga ministri i Bujqësisë, Armend Muja, drejtori në detyrë i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Menderes Ibra, si dhe përfaqësuesit e AKP-së, Hekuran Nikçi dhe Burim Leci.
Sipas MBPZhR-së, transferimi përfshin rreth 200 mijë hektarë prona pyjore të shpërndara në 3,015 parcela, të cilat deri më tani kanë qenë nën administrimin e AKP-së. Kjo sipërfaqe përbën rreth 21 për qind të territorit të Kosovës dhe konsiderohet si një nga bartjet më të mëdha të aseteve publike në sektorin pyjor dhe mjedisor.
Ministri Muja e cilësoi këtë marrëveshje si një arritje historike për shtetin e Kosovës.“Për herë të parë, rreth 21 për qind e territorit të vendit, përkatësisht mbi 200 mijë hektarë tokë pyjore, i kthehen Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Pyjeve të Kosovës për menaxhim dhe mbrojtje në interes të qytetarëve dhe brezave të ardhshëm”, deklaroi ai.
Përmes kësaj marrëveshjeje, pronat pyjore do të menaxhohen nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës, me synim ruajtjen, mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të fondit pyjor të vendit.
Institucionet kanë bërë të ditur se dokumentacioni i plotë i parcelave është dorëzuar bashkë me marrëveshjen, ndërsa pas përfundimit të procedurave kadastrale, lista e aseteve pritet të bëhet publike.
