Vrasja në Maqitevë, i akuzuari nuk e pranon fajin

08.09.2020

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Sylejman Ahmeti nuk e ka pranuar fajësinë për vrasje të rëndë. Ai akuzohet se në janar të këtij viti, pas një mosmarrëveshje lidhur me një borxh prej 20 euro, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Shaip Krasniqi, raporton “Betimi për […]

Vrasja në Maqitevë, i akuzuari nuk e pranon fajin Foto: Ilustrim

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Sylejman Ahmeti nuk e ka pranuar fajësinë për vrasje të rëndë.

Ai akuzohet se në janar të këtij viti, pas një mosmarrëveshje lidhur me një borxh prej 20 euro, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Shaip Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Metush Biraj, i akuzuari Ahmeti deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale të vrasjes së rëndë, përderisa e pranon fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Gjykatësja e rastit, Teuta Krusha, mori vendim për pranimin e fajësisë lidhur me veprën e dytë me të cilën ngarkohet i akuzuari, atë të armëmbajtjes pa leje.

Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Nazmi Mustafa kërkoi që nga prokuroria të pajiset me shkresat e lëndës, si dhe kërkoi që t’i dorëzohet edhe CD-ja, pasi tha se e njëjta konsiderohet pjesë e shkresave të lëndës.

Edhe përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Miftar Qelaj, deklaroi se deri më sot nuk e ka pranuar aktakuzën, e as provat e bashkangjitura aty.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka privuar nga jeta tani të ndjerin Shaip Krasniqi, në atë mënyrë që më 26 janar 2020, rreth orës 21:45 minuta, në kafiterinë “Toni”  në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e Liman Aliut, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Shaip Krasniqi vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e din kënd e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burr qu dil jashtë”, dhe pasi Limani e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, deri sa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”,  kalibri 7.62 mm, dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu, i cili përpiqet ta pengoj të akuzuarin, Agron Krasniqit dhe mysafirëve tjerë që kishin dal jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit Shaip, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, i cili rrezohet në tokë, e pastaj deri sa ishte i rrëzuar e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu ti q**** shtatëmijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.