OKB: Një grua vritet nga partneri ose i afërmi i saj çdo 10 minuta

25.11.2025

Një raport tronditës i publikuar sot nga Organizata e Kombeve të Bashkuara zbulon se jo më pak se 50 mijë gra dhe vajza janë vrarë në vitin 2024 nga partnerët ose të afërmit e tyre. Kjo do të thotë se çdo dhjetë minuta humb jetën një grua, viktimë e femicidit.

Raporti, i hartuar nga UN Women dhe Zyra e OKB-së për Kontrollin e Drogave dhe Parandalimin e Krimit (UNODC), është publikuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe thekson se progresi në luftimin e femicidit mbetet minimal.

Shifrat globale: një krizë që nuk po përmirësohet

Në total, 83 mijë gra dhe vajza u vranë në mbarë botën vitin e kaluar, ndërsa 60% e tyre – rreth 50 mijë – u vranë nga partneri intim ose nga një anëtar i familjes, si babai, vëllai, xhaxhai, madje edhe nëna.

Kjo përkthehet në 137 gra të vrara çdo ditë, ose një viktimë çdo dhjetë minuta, shifra që sipas OKB-së përfaqësojnë një “emergjencë të vazhdueshme globale”.

Rënie vetëm në letër

Edhe pse numri i raportuar i femicidit për vitin 2024 (50,000) është pak më i ulët krahasuar me vitin 2023 (51,100), OKB thekson se kjo nuk nënkupton përmirësim real.

Sipas raportit, ndryshimi i shifrave lidhet kryesisht me ndryshimet në mënyrën e mbledhjes së statistikave nga vendet, dhe jo me ulje të vërtetë të rasteve.

OKB: “Dhuna ndaj grave mbetet e rrënjosur dhe e nënraportuar”

OKB ngre alarmin se femicidi, veçanërisht vrasjet e kryera brenda familjes, mbeten ndër krimet më të nënraportuara dhe më të vështira për t’u parandaluar, duke kërkuar urgjentisht politika më efektive, masa mbrojtëse dhe sistem të përmirësuar të drejtësisë.

“Faktet flasin qartë: dhuna ndaj grave nuk është thjesht çështje individuale apo familjare, por një problem i thellë shoqëror që kërkon reagim të menjëhershëm global,” theksohet në raport.