Suhareka hap konsultim publik për Projekt-Rregulloren e Bonuseve të Zonimit
Komuna e Suharekës ka njoftuar hapjen e konsultimit publik për Projekt-Rregulloren e Bonuseve të Zonimit.
Ky proces konsultativ synon të mbledhë vërejtjet, propozimet, sugjerimet dhe komentet e qytetarëve në lidhje me këtë akt normativ me interes të përgjithshëm.
Njoftimi zyrtar, i publikuar sot, datë 6 maj 2025, nga kryetari i Komunës së Suharekës, bën të ditur se konsultimi publik do të zgjasë nga data 30 prill 2025 deri më 15 maj 2025.
Duke pasur parasysh rëndësinë e përmbushjes së kërkesave të qytetarëve dhe zbatimin e dispozitave ligjore, Komuna e Suharekës ka zgjedhur mekanizmin e konsultimeve dhe pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të tyre në propozimet për akte normative që ndikojnë në jetën e përditshme dhe zhvillimin e qytetit.
Të gjithë qytetarët e interesuar mund të dorëzojnë vërejtjet, propozimet, sugjerimet dhe komentet e tyre deri më datën 15 maj 2025, në Zyrën numër 2 dhe numër 3 në objektin e Komunës së Suharekës. Dokumentet mund të dorëzohen çdo ditë pune, nga ora 08:00 deri në orën 16:00.
Për të siguruar transparencën dhe informimin e plotë të publikut, Projekt-Rregullorja për Bonuset e Zonimit për Komunën e Suharekës është gjithashtu e disponueshme në faqen zyrtare të Komunës: https://kk.rks-gov.net/suhareke.
Komuna e Suharekës inkurajon të gjithë qytetarët të marrin pjesë aktive në këtë proces konsultativ, duke dhënë kontributin e tyre për një rregullore sa më të mirë dhe në shërbim të interesave të komunitetit.