Sipas raportit të USAID-it, Suhareka renditet e 18-ta në bazë të ambientit përkrahës për zhvillim të bizneseve

Të hënën USAID ka publikuar raportin “Indeksi i konkurrueshmërisë së komunave 2020” ku janë prezantuar gjetjet e anketës me 3350 biznese nga 38 komunat e Kosovës, gjetje këto përmes së cilave është arritur deri tek vlerësimi i qeverisjes lokale në bazë të ambientit përkrahës për zhvillim të bizneseve.

Indeksi i Konkurrueshmërisë së Komunave (IKKI) është një indeks i përbërë i krijuar për të matur performancën e qeverisë lokale drejt krijimit të një mjedisi të shëndoshë afarist.

Nga 8 nën-indekset e vlerësuara Komuna e Suharekës renditet e 18-ta me 5.93 pikë nga 10 pikë sa është vlera maksimale e pikëve.

Barrierat e hyrjes në biznes
Barrierat e hyrjes në biznes janë nën-indeksi i parë që është analizuar në raportin e IKK-së. Ky nën indeks mat lehtësinë me të cilën bizneset hyjnë në treg. Gjithashtu, ky nën-indeks vlerëson drejtësinë e konkurrencës në tregun vendor dhe gatishmërinë e komunave për të krijuar një mjedis të shëndetshëm afarist, sipas të cilit Komuna e Suharekës renditet e 8-ta me 8.27 pikë.

Transparenca
Nën-indeksi i dytë mat performancën e komunave në transparencë. Në këtë nën-indeks është matur se sa transparente komunat janë në lidhje me bizneset, në të cilin Komuna e Suharekës renditet e 28-ta me 4.48 pikë.

Pjesëmarrja dhe parashikueshmëria
Nën-indeksi 3 tregon masën në të cilën bizneset në Kosovë marrin pjesë në vendimmarrjen vendore dhe masën në të cilën ato konsiderojnë se qeveria është e hapur për të bashkëpunuar me ta drejt arritjes së qëllimeve të përbashkëta. Një formë e zakonshme e ndërveprimit midis institucioneve të qeverisjes dhe bizneseve në nivel lokal janë debate publike, në të cilin Komuna e Suharekës renditet e 19-ta me 5.12 pikë.

Kostot kohore
Qeveritë lokale luajnë një rol vendimtar në ofrimin e shërbimeve për publikun dhe bizneset në veçanti. Procedura të shumta burokratike pengojnë operacionet efikase të bizneseve. Për më tepër, kontaktet e shpeshta ndërmjet bizneseve dhe zyrtarëve publikë ushqejnë afërsinë midis tyre, gjë që më pas mund të promovoj sjellje korruptive. Megjithatë, siç tregojnë të dhënat nga studimi i IKK-së, në përgjithësi bizneset në Kosovë kanë relativisht pak vizita nga zyrtarë komunal dhe kanë pak kontakt me zyrtarë publikë. Në këtë nën-indeks Komuna e Suharekës renditet e 18-ta me 8.50 pikë.

Taksat dhe tarifat
Ky nën-indeks reflekton përputhjen e bizneseve në lidhje me taksat dhe tarifat vendore në të gjitha komunat e Kosovës. Sipas kuadrit ligjor aktual, autoritetet lokale janë përgjegjëse për të mbledhur vetëm tatimin mbi pronën. Megjithatë, qeveritë vendore sipas gjykimit të tyre mund të vendosin taksa dhe tarifa shtesë lokale për bizneset që operojnë brenda territorit të tyre, ku sipas këtij nën-indeksi Komuna e Suharekës renditet e 33-ta me 4.89 pikë.

Administrata Lokale
Aftësia e administratës së qeverisjes vendore në krijimin e një mjedisi të mirë afarist, është një faktor thelbësor për aktivitetet e biznesit në një ekonomi lokale. Cilësia e shërbimeve të ofruara nga administrata lokale dhe aftësitë që tregon stafi administrativ në bashkëpunimin me bizneset qëndrojnë në thelbin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve dhe administratës. Në këtë nën-indeks Komuna e Suharekës renditet e 15-ta me 4.22 pikë.

Fuqia punëtore dhe shërbimet mbështetëse për biznese
Nën-indeksi 7, Tregu i Punës dhe mbështetja për bizneset, është një indeks që trajton ofertën dhe kërkesën në tregun e punës. Ky nën-indeks vlerëson cilësinë e fuqisë punëtore në dispozicion të bizneseve në secilën komunë, si dhe shërbimet mbështetëse që administratat komunale u ofrojnë atyre. Duke marrë parasysh një mospërputhje të qenësishme midis kërkesës dhe ofertës për punë, ky nën-indeks trajton këto dy dimensione duke vlerësuar disa nga faktorët kyç që qojnë në këtë mospërputhje. I njëjti vlerëson se sa të kënaqur janë bizneset me nivelin e arsimimit dhe shkathtësive të fuqisë punëtore, si dhe nivelin me nivelin me të cilin komunat janë të angazhuara në përkrahjen e një mjedisi më të përshtatshëm që mundëson përputhjen më të lehtë të kërkesës dhe ofertës për punë. Në këtë nën-indeks Komuna e Suharekës renditet e 15-ta me 6.30 pikë.

Infrastrukura Lokale
Një infrastrukturë e mirë fizike u mundëson bizneseve që të integrohen më mirë në zinxhirin e vlerës dhe të lëvizin me efikasitet mallrat dhe shërbimet e tyre nëpër rajone të ndryshme. Mungesa e infrastrukturës fizike mund të jetë një pengesë e madhe dhe e kushtueshme për tu kapërcyer nga bizneset. Nën-indeksi i fundit i IKK-së paraqet perceptimin e bizneseve që lidhen me aspekte të ndryshme të infrastrukturës lokale. Nën-indeksi i IKK-së mbi infrastrukturën vlerëson cilësinë e rrugëve, cilësinë e sistemit të kanalizimit, mirëmbajtjen dhe mbledhjen e mbetjeve dhe mbeturinave, qasjen në rrjetin publik të furnizimit me ujë, si dhe furnizimin e rregullt të energjisë dhe ujit. Ky nën-indeks gjithashtu ofron informacione lidhur me shkallën e arkëtimit të borxheve për shërbimet e ujit nga konsumatorët afaristë. Në këtë nën-indeks Komuna e Suharekës renditet e 33-ta me 5.63 pikë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.