Shpenzimet e komunave gjatë pandemisë, Suhareka ndau 40 mijë euro

01.08.2020

Komuna e Prishtinës ka ndarë më së shumti buxhet për menaxhimin e pandemisë COVID-19 krahasuar me komunat tjera. Kryeqyteti i ka ndarë 1 milion e 380 mije euro. Në anën tjetër, Mamusha ka ndarë më se paku mjete për menaxhim të pandemisë, apo vetëm 1,800 euro. Komunat si Peja, Istogu, Kllokoti dhe Gjakova nuk kanë […]

Shpenzimet e komunave gjatë pandemisë, Suhareka ndau 40 mijë euro Foto: Ilustrim

Komuna e Prishtinës ka ndarë më së shumti buxhet për menaxhimin e pandemisë COVID-19 krahasuar me komunat tjera.

Kryeqyteti i ka ndarë 1 milion e 380 mije euro. Në anën tjetër, Mamusha ka ndarë më se paku mjete për menaxhim të pandemisë, apo vetëm 1,800 euro.

Komunat si Peja, Istogu, Kllokoti dhe Gjakova nuk kanë ndarë asnjë mjet financiar për menaxhimi e pandemisë.

“Mund të shohim se nga 38 komuna sa janë gjithsej, 33 prej tyre kanë ndarë mjete financiare për menaxhimin e pandemisë së COVID – 19 në vlerë prej 4,771,008 euro.

Sipas raportit të MAPL-së Komuna e Suharekës gjatë pandemisë ndau 40,000 euro mirëpo në bazë të vendimeve të Shtabit Emergjent të Komunës së Suharekës del që janë ndarë 60,000 €, fillimisht me datën 14 mars 2020 ishin ndarë 20,000 € dhe me datën 20 mars fondit emergjent i janë shtuar edhe 40,000 euro.

Tutje në raport thuhet se Komuna e Suharekës ka harxhuar 30% apo 5,022,860.1 € e planifikuara nga buxheti për periudhën janar-qershor të këtij viti.

Ministria e Pushtetit Lokal ka bërë publike ‘Raportin e situatës së pandemisë COVID – 19 për komunat e Republikës së Kosovës’, më të cilin është krahasuar edhe periudha janar-qershor 2019 dhe janar-qershor 2020.

Sipas raportit gjithashtu tregohet realizimi i të hyrave vetanake të komunave në gjashtë mujorin e parë të vitit 2020.

Kësisoj në vitin 2019 në periudhën Janar-Qershor Komuna e Suharekës ka realizuar 43.23% të të hyrave vetanake nga ato që ishin planifikuar, ndërsa në vitin 2020 në të njëjtën periudhën Komuna e Suharekës ka realizuar 11.9 % më pak se vitin paraprak, saktësisht 31.35% të të hyrave të planifikuara.

Gjithashtu Komuna e Suharekës ka ulur shpenzimet komunale në periudhën janar-qershor 2020 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, shkruan SuharekaOnline.

Në grafikën më poshtë mund të gjeni buxhetin e ndarë nga të gjitha komunat e Kosovës: