SHFMU “Migjeni” në Gjinoc shënon me aktivitete Ditën Botërore të Ushqimit
Në kuadër të Ditës Botërore të Ushqimit, nxënësit dhe stafi i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Migjeni” në Gjinoc organizuan një aktivitet të veçantë edukativ e ndërgjegjësues, me qëllim promovimin e rëndësisë së ushqimit të shëndetshëm dhe falënderimit për ata që kontribuojnë çdo ditë në zinxhirin ushqimor.
Foto: Ilustrim
Në njoftimin e publikuar nga shkolla, u shpreh mirënjohje për nxënësit, për kreativitetin dhe energjinë pozitive që sollën gjatë përgatitjeve, si dhe falënderim për mësimdhënësit, prindërit dhe mësuesen Jehona Berisha për përkushtimin dhe mbështetjen e tyre në realizimin e këtij aktiviteti domethënës.

“Le të vazhdojmë të kultivojmë vetëdijen, mirënjohjen dhe kujdesin për një të ardhme më të mirë për të gjithë”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e shkollës.

16 Tetor – Dita Botërore e Ushqimit
Çdo vit, më 16 tetor, bota shënon Ditën Botërore të Ushqimit për të ngritur vetëdijen mbi rëndësinë e një sistemi ushqimor të qëndrueshëm dhe për të falënderuar ata që kontribuojnë në prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit. Në këtë ditë, theksohet nevoja për të luftuar urinë, për të promovuar ushqimin e shëndetshëm dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt ushqimore për të gjithë.