Rreth 60 nxënës me aftësi të kufizuara në shkollat e Suharekës, Bajselmani: DKA do të vazhdojë në krijimin e kushteve më të mira
Sot, më 3 dhjetor, shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, një ditë që synon të rrisë ndërgjegjësimin e shoqërisë për sfidat dhe nevojat e kësaj kategorie të veçantë.
Në këtë ditë zhvillohen aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim të ndikojnë në përfshirjen dhe respektin për personat me aftësi të kufizuara në të gjitha aspektet e jetës.
Sipas të dhënave të ASK-së, në komunën e Suharekës jetojnë mbi 800 persona me aftësi të kufizuara të cilët përfitojnë ndihmë sociale nga shteti. Prej tyre, rreth 100 janë fëmijë në moshën nga 0 deri 18 vjeç, ndërsa rreth 700 janë të moshës nga 18 deri mbi 65 vjeç.
Kjo kategori e veçantë e shoqërisë përballet pothuajse çdo ditë me sfida të shumta, të cilat ndikojnë në jetën e tyre personale dhe sociale. Disa nga sfidat kryesore përfshijnë:
- Qasja e vështirë në ndërtesa dhe institucione publike për shkak të mungesës së pjerrtesave dhe ashensorëve;
- Shërbimet arsimore dhe infrastruktura e papërshtatshme, që e vështirësojnë integrimin në shkolla;
- Mungesa e mbështetjes profesionale, si asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta;
- Barrierat sociale dhe paragjykimet që shpesh e izolojnë këtë kategori nga pjesa tjetër e komunitetit;
- Vështirësitë ekonomike dhe nevoja për ndihmë sociale, që ndikojnë në jetën e përditshme dhe aftësinë për pavarësi.
Në këtë ditë të veçantë, Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, ka folur për situatën e personave me aftësi të kufizuara të cilët janë të përfshirë në shkollat e komunës.
Ai në një prononcim për SuharekaOnline ka theksuar se 90% e objekteve shkollore në Suharekë kanë pjerrtesira, të cilat lehtësojnë qasjen e personave me aftësi të kufizuara. Në objektin e Gjimnazit “Jeta e Re”, vitet e fundit është investuar edhe në vendosjen e një ashensori të dedikuar për personat me aftësi të kufizuara, duke mundësuar qasje të plotë brenda objektit.
Sipas Bajselmanit, në shkollat e Suharekës janë rreth 60 fëmijë me aftësi të kufizuara, për të cilët punojnë 14 asistentë të angazhuar për të gjithë shkollat. Në planet afatshkurtra, DKA-Suharekë ka planifikuar një konkurs për të punësuar edhe 5 asistentë të rinjë, duke rritur mbështetjen për këta fëmijë.
Ai gjithashtu ka përmendur një rast të veçantë për vlerësim, në SHFMU “Dituria” në Samadraxhë, sekretarja e shkollës bën pjesë në këtë kategori dhe i është mundësuar puna, me krijimin e kushteve të nevojshme për të kryer detyrat e saj.
Remzi Bajselmani ka theksuar se DKA-Suharekë do të vazhdojë të angazhohet për krijimin e kushteve më të mira për personat me aftësi të kufizuara që janë pjesë e shkollave të komunës.
Megjithatë, ai ka shtuar se pavarësisht investimeve dhe planeve të realizuara, shoqëria duhet të jetë më e ndërgjegjshme dhe më e afërt me personat me aftësi të kufizuara, duke mos i bërë të ndihen të ndryshëm apo të neglizhuar, por duke i përfshirë në të gjitha aspektet e jetës sociale dhe arsimore.