Pensionohet Dr. Jemin Zeqiri, QKMF-Suharekë e falenderon për punën dhe kontributin

11.11.2025

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Suharekë ka shprehur mirënjohje të veçantë për Dr. Jemin Zeqirin, me rastin e ditëlindjes së tij të 65-të dhe pensionimit të merituar pas një karriere të gjatë në shërbim të qytetarëve.

Në njoftimin e bërë publik nga QKMF Suharekë thuhet se Dr. Zeqiri është një njeri i urtë, profesionist i përkushtuar dhe doktor i respektuar, i cili për vite të tëra ka qenë pranë qytetarëve të Suharekës, e veçanërisht pranë banorëve të Mushtishtit.

“Me duar të sigurta, me fjalë të mira dhe me zemër të madhe, ai ka shërbyer jo vetëm si mjek, por edhe si njeri human, shpresë dhe qetësi për secilin prej nesh,” – thuhet ndër të tjera në falënderimin e QKMF-së.

Menaxhmenti i qendrës ka vlerësuar lartë punën e palodhshme, profesionalizmin dhe kolegialitetin që Dr. Zeqiri ka treguar gjatë gjithë karrierës së tij, duke e cilësuar atë si një shembull frymëzimi për të gjithë stafin mjekësor.

“Doktor, puna juaj mbetet kujtim dhe shembull i mirë për të gjithë ne. Ju faleminderit për gjithçka!” – përfundon mesazhi i mirënjohjes.

Në këtë ditë të veçantë, stafi i QKMF-së në Suharekë i ka uruar Dr. Jemin Zeqirit shëndet, qetësi dhe vite të lumtura në pension, duke e falënderuar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në shëndetin publik të komunës.