Një i burgosur tenton të vetëlëndohet në stacionin policor në Suharekë, parandalohet nga zyrtarët policorë

17.07.2025

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje në Stacionin Policor në Suharekë, ku një person i arrestuar nën dyshimet për dhunë në familje u pa duke u përpjekur të përdorte një batanije për t’u vetëlënduar.

Ndërhyrja e shpejtë e zyrtarëve policorë parandaloi incidentin, duke shmangur një situatë potencialisht të rëndë.

Sipas burimeve të SuharekaOnline, ngjarja u regjistrua më 16 korrik 2025. I dyshuari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, kishte marrë një batanije që gjendej në dhomën e ndalimit dhe kishte nisur ta lidhte, me qëllimin e dyshuar për ta përdorur për vetëlëndim.

Burime të SuharekaOnline kanë konfirmuar se rasti ishte identifikuar menjëherë nga zyrtarët policorë që ndodheshin në Qendrën e Ndalimit. Ata reaguan me shpejtësi duke i hequr batanijen të dyshuarit.

“Ai nuk ka tentuar, pra nuk ka shkuar deri tek akti i vetëlëndimit, por është hasur nga zyrtarët policorë, derisa i dyshuari kishte marrë batanijen dhe kishte nisur ta lidhte në njërën nga pjesët e dhomës së ndalimit” bëjnë të ditur burimet e mediumit.

Tutje thuhet se batanija ndodhej në dhomë si pjesë e inventarit standard, dhe se i arrestuari kishte nisur të krijojë situata të padisiplinuara brenda Stacionit, duke bërtitur dhe duke u treguar i pabindur.

Pas ndërhyrjes, batanija u largua nga dhoma e ndalimit. I dyshuari vazhdon të qëndrojë në paraburgim policor për të përmbushur afatin 48-orësh të caktuar nga Prokuroria për veprën penale të “dhunës në familje”.

Një rast i vetvrasjes brenda stacionit policor në Suharekë kishte ndodhur para dy javësh me ç’rast ka rezultuar me suspendimin e tre zyrtarëve policor.