Mbi 600 maturantë të Suharekës i nënshtrohen sot Provimit të Maturës Shtetërore

26.06.2021

697 maturantë të shkollave të mesme të Komunës së Suharekës do t’i nënshtrohen sot Provimit të Maturës Shtetërore, në 4 qendra të testimit. Sipas drejtorit të Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani në proces janë angazhuar 68 administratorë që janë profesorë nga Komuna e Prizrenit. Ndërsa 152 profesorë nga shkollat e Komunës së Suharekës […]

Mbi 600 maturantë të Suharekës i nënshtrohen sot Provimit të Maturës Shtetërore Foto: Ilustrim

697 maturantë të shkollave të mesme të Komunës së Suharekës do t’i nënshtrohen sot Provimit të Maturës Shtetërore, në 4 qendra të testimit.

Sipas drejtorit të Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani në proces janë angazhuar 68 administratorë që janë profesorë nga Komuna e Prizrenit.

Ndërsa 152 profesorë nga shkollat e Komunës së Suharekës do të shkojnë në Prizren për administrim.

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në klasë do të lejohen vetëm 15 nxënës.

Po ashtu ai ka bërë të ditur edhe numrin e nxënësve që do të marrin pjesë në provimin e Maturës Shtetërore në 4 qendrat e testimit në Suharekë.

164 nxënës do të jenë në Gjimnazin “Jeta e Re”, 151 në Shkollën Fillore “7 Marsi”, 200 nxënës në Shkollën e Mesme Teknike “Skënder Luarasi” si dhe 182 nxënës në Shkollën e Mesme Profesionale “Abdyl Ramaj”.

Bajselmani ka theksuar se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet që ky proces të shkojë sa më mirë.

Janë njoftuar edhe Policia si dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) për raste emergjente apo ndonjë incident.

Bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësishtë mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit.

Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, rezultatet e provimit të maturës shtetërore pritet të shpallen më datën 5 korrik.