KV Gjinoci përfaqëson me krenari Kosovën në garat ballkanike U-19 në Shqipëri

para 30 dite

Klubi i Volejbollit Gjinoci ka përfaqësuar me sukses Kosovën në garat ballkanike për grupmoshën U-19, të mbajtura së fundmi në Shqipëri, duke dhënë një paraqitje dinjitoze që ngjalli respekt dhe krenari për sportin kosovar.

KV Gjinoci përfaqëson me krenari Kosovën në garat ballkanike U-19 në Shqipëri

Nën drejtimin e trajneres Rudina Berisha, ekipi u udhëhoq me profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim, duke përçuar frymën garuese dhe vlerat e larta të sportit në çdo ndeshje të luajtur.

Kapitenia e ekipit, Blerdina Voci, pati një rol të pazëvendësueshëm – jo vetëm si lidere në fushë, por edhe si shembull frymëzimi për bashkëlojtarët, me vendosmëri, shpirt gare dhe performancë të qëndrueshme gjatë gjithë turneut.

Pjesë e ekipit ishin edhe lojtaret e talentuara Blerina Begaj dhe Enkela Voci, të cilat me angazhimin dhe paraqitjen e tyre e pasuruan edhe më shumë imazhin pozitiv të klubit dhe të volejbollit kosovar në arenën rajonale.

“Jemi krenarë për angazhimin, përfaqësimin dhe pasionin që treguan vajzat tona në këtë kompeticion të rëndësishëm ballkanik. Sukseset e tyre janë një frymëzim për brezat e rinj dhe një dëshmi e punës së palodhshme që bëhet në KV Gjinoci”, thuhet në njoftimin e klubit.

Ky përfaqësim është një tjetër hap përpara për sportin e femrave në Kosovë, duke konfirmuar potencialin dhe ambicien e ekipeve të reja drejt suksesit ndërkombëtar.

Etiketat

Ofertat e fundit