Pas vendimit të MAPL-së, KPF-Suharekë diskuton për shfuqizimin e rregullores për bonus zonimet
Komiteti për Politikë dhe Financa i Komunës së Suharekës ka mbajtur sot mbledhjen e 10-të të rregullt për vitin 2025, ku në fokus ishin çështje me rëndësi të veçantë për funksionimin administrativ dhe financiar të komunës.
Gjatë këtij takimi, anëtarët e Komitetit kanë shqyrtuar dhe diskutuar disa pika të rendit të ditës, duke filluar me miratimin e procesverbalit nga mbledhja e kaluar, si hap procedural për vazhdimin e punës në mënyrë të rregullt.
Një nga çështjet më të rëndësishme të diskutimit ishte shqyrtimi i projekt-vendimit për caktimin e normave tatimore për tatimin në pronën e paluajtshme, që ka një ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat komunale dhe në obligimet e qytetarëve.
Gjithashtu, Komiteti ka trajtuar edhe shqyrtimin e projekt-vendimit për shfuqizimin e Rregullores 01-Nr-016-56044, një vendim që synon përmirësimin e rregullativës ekzistuese në funksion të efikasitetit institucional.
Në pjesën financiare, u paraqit informatë për administrimin e buxhetit të komunës për periudhën janar–shtator 2025, ku u dhanë detaje mbi shpenzimet dhe të hyrat buxhetore, si dhe realizimi i projekteve për këtë periudhë. Po ashtu, u shqyrtua raporti i performancës komunale për periudhën janar–dhjetor 2024, duke vlerësuar arritjet dhe sfidat në fushat kryesore të shërbimeve komunale.
Pas një diskutimi konstruktiv dhe në frymë bashkëpunimi, të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan, duke u hapur rruga për procedimin e tyre në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal të Suharekës.
Ky proces është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve lokale për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përmirësimin e qeverisjes lokale në shërbim të qytetarëve.