Java e kaluar me aktakuza, arrestime, kritika e kërkesa – Çfarë ndodhi në Suharekë?

Java e kaluar me aktakuza, arrestime, kritika e kërkesa – Çfarë ndodhi në Suharekë?
Eurolinda Zenelaj

26.04.2021 / Suhareka

Si shumë javë të tjera edhe java që e lamë pas kishte qenë e ngarkuar me ngjarje nga më të ndryshmet duke përfshirë politikën, shëndetësinë, arsimin dhe sigurinë në Komunën e Suharekës.

Kryetari i Komunës së Suharekës gjatë javës së kaluar kishte thënë se numri i rasteve pozitive me COVID-19 në Komunën e Suharekës ka shënuar një rënie të dukshme, ku edhe ka thënë se nga qytetarët dhe nga bizneset e komunës ka kërkesa që të hapet gastronomia dhe të lejohen dasmat, duke i respektuar masat anti-COVID dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse.

Poashtu, ai në javën e kaluar ka reaguar edhe për rrugët e dëmtuara nga vërshimet e janarit të cilat në Komunën e Suharekës kishin bërë dëme në vlerë rreth 1 milionë euro.

Muharremaj ka thënë se për rregullimin e rrugëve Komuna e Suharekës ka ndarë mjete nga Fondi Emergjent, duke shtuar se procedurat për rregullimin e këtyre rrugëve të dëmtuara nga vërshimet kanë filluar dhe tashmë janë në fazën përfundimtare, duke shtuar se është përzgjedhur edhe kompania e cila do të merret me rregullimin e rrugëve, ku pritet të asfaltohen.

Këtë e ka konfirmuar për SuharekaOnline edhe drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani, i cili ka bërë të ditur se në bazë të ndarjes së mjeteve nga Fondi Emergjent, janë duke ndjekur procedurat dhe afatet ligjore.

Andaj, pasi të kontraktohet kompania fituese do të fillojë pastrimi i terrenit, duke marrë parasyshë se këto rrugë aktualisht janë të shtruara me kubëza dhe pas kësaj do të fillojë asfaltimi i tyre.

Ndërsa, në 31 vjetorin e vdekjes së Fadil Vatës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Suharekë, ka propozuar që Gjimnazi “Jeta e Re” në Suharekë të riemërohet Gjimnazi “Fadil Vata”.

Ky propozim ka kaluar edhe në Komisionin për Politikë dhe Financa të Komunës së Suharekës që në seancën e radhës të asamblesë komunale të hudhet në rend të ditës.

Javën e kaluar Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje dega në Suharekë, Arbër Kabashi, ka kritikuar qeverisjen Muharremaj për mbulimin e punëve të papërfunduara të një tenderi me anë të një tenderi tjetër.

Kabashi ka thënë se ky manipulim përmes kësaj metode nuk është i vetmi, por as kjo metodë nuk është e vetmja.

Shkrimi i plotë i Arbër Kabashit nga LVV:

“Komuna e Therandës me 13.04.2021 e ka hapur një tender në kuadër të secilit është rregullimi i fontanës tek Parku i Qytetit. Por në vitin 2019 kjo fontanë është paraparë të rregullohet me një tender tjetër. Në fotot e mëposhtme janë pozicionet e parapara me tenderin e vitit 2019 (foto 1) dhe me tenderin e tashëm (foto 2), pothuasje pozicionet janë të njëjta, madje tash parashihet që të rregullohen disa pjesë të dëmtuara. Mbulimi i punëve të papërfunduara të një tenderi me anë të një tenderi tjetër pas një kohe, është një nga metodat që po realizohet nga qeverisja Muharremaj për të keqpërdorur. Ky manipulimi përmes kësaj metode nuk është i vetmi, por as kjo metodë nuk është e vetmja”

Ndërsa, gjatë javës që lamë pas në Komunën e Suharekës situata me pandeminë COVID-19 kishte qenë më e qetë se në javët paraprake, për një javë në këtë komunë janë konfirmuar 27 raste pozitive me COVID-19 dhe është regjistruar një viktimë e moshës 83 vjeçare.

DataNr. i rasteve pozitiveNr i viktimave
19 prill, 202111 (83 vjeç)
20 prill, 2021110
21 prill, 202120
22 prill, 202180
23 prill, 202100
24 prill, 202150
25 prill, 202100

Poashtu javën që lamë pas në Komunën e Suharekës, pas një jave pushim dhe një jave me mësim online, nxënësit e klasave 6-12 janë rikthyer në bankat shkollore për të vazhduar me procesin mësimor në mënyrë fizike.

Drejtori i Arsimit në Komunën e suharekës, Remzi Bajselmani në një prononcim për SuharekaOnline kishte treguar se mësimi ka filluar për klasat e lartcekura dhe se gjithçka është realizuar sipas planit.

”Po, mësimi në mënyrë fizike ka filluar në të gjitha shkollat e komunës, për klasat 6-12, sipas planit dhe gjithçka deri më tani ka shkuar në rregull” ka thënë Bajselmani.

Në shtatë ditët e kaluara DKA-Suharekë ka publikuar edhe emrat e nxënësve që kanë përfituar bursa nga Komuna e Suharekës.

Rikujtojmë se këtë vit shkollor 2020-2021, janë ndarë 210 bursa prej të cilave 130 janë për studentë dhe 80 për nxënës. Vlera e bursës për studentë do të jetë 500€ (50€/10 muaj) ndërsa për nxënës 250€ (25€/10 muaj). Vlera totale e bursave do të jetë 85,000 euro

Nga Policia e Kosovës në Suharekë javën e kaluar janë raportuar ngjarje nga më të ndryshmet.

Në ditën e parë të javës një femër ka raportuar në Policinë e Kosovës në Suharekë se është kanosur nga bashkëshorti i saj. Të hënën një femër në fshatin Sopijë të Suharekës rreth orës 11:10 ka raportuar në polici se është kanosur nga bashkëshorti i saj përmes mesazheve telefonike.

Poashtu në ditën e njëjtë në Suharekë janë arrestuar dy persona të dyshuar për dhunë në familje. Sipas burimeve të SuharekaOnline ishte bërë e ditur se Policia e Kosovës në Suharekë ka arrestuar një person i cili ka ushtruar dhunë psiqike në familjen e tij, ndërsa një tjetër kishte sulmujar fizikisht gruan e tij.

Poashtu nga policia ishte njoftuar se një 16 vjeçare nga fshati Javor ishte larguar nga shtëpia e saj me një makinë të panjohur për familjarët, e cila pak ditë më vonë ishte gjetur dhe ishte bërë e ditur se ajo ishte larguar me vetdëshirë.

Në fshatin Dubravë të Suharekës javën e kaluar ka arrestuar një person të dyshuar për armëmbajtje pa leje, të cilit i janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë M-48, tre fishek të kalibrit 7.9mm.

Ndërsa, të enjten në fshatin Budakovë është vetvrarë një 59 vjeçar (emër i njohur për redaksinë). Lajmin për SuharekaOnline e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj, i cili ka bërë të ditur se të enjten rreth orës 23:27 një person ka njoftuar në polici se babai i tij dyshohet se ka kryer vetvrasje. Osmanollaj ka thënë se pas pranimit të informatës policia ka qenë në vendin e ngjarjes ku edhe ka sekuestruar një revole dhe 82 fishekë.

Të enjten në Suharekë është thyer një lokal nga persona të panjohur ku sipas deklarateve të menaxherit të këtij lokali është bërë e ditur se të dyshuarit kanë arritur që të marrin gjësende në vlerë prej 20 mijë euro.

Gjatë ditës së enjte në Suharekë janë rrahur dy të mitur njëri nga fshati Gjinoc dhe tjetri nga fshati Semetisht. Një i dyshuar i mitur nga fshati Gjinoc pas përfundimit të mësimit, i cili është nxënës në Shkollën Profesionale “Avdyl Ramaj” në Shirokë kishte shkuar tek Gjimnazi “Jeta e Re” në Suharekë. I dyshuari fillimisht ishte fjalosur me viktimën e mitur nga fshati Semetisht, e pastaj e kishte goditur njëherë me grusht. Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar për Krime të Rënda (Mitur) dhe me urdhër të tij rasti në fjalë shkon në procedurë të rregullt dhe është duke u hetuar.

Në po të njëjtën ditë është arrestuar një mësues në Mushtisht, pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht dy nxënëse. Të enjten rreth orës 08:30 kujdestari i një klase në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët ”Edit Durham” në Mushtisht ka sulmuar fizikisht dy nxënëset e tij. Dy nxënëset kanë pranuar tretman mjekësor, por që nuk kanë pasur lëndime të mëdha.

Një person nga fshati Studençan i Suharekës të enjten ka sulmuar fizikisht me mjet të mprehtë dy persona të tjerë. Sipas burimeve të SuharekaOnline është bërë e ditur se të enjten rreth orës 21:50 se dy persona nga fshati Studençan kanë raportuar në polici se janë sulmuar fizikisht me mjet të mprehtë nga një person i cili ka qenë në gjendje të dehur.

Në javën e kaluar Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Jehona Rrafshi-Lumi dhe H. M. nën dyshimin e bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Sipas aktakuzës, J. Rr.-L. në cilësinë e Drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës, jashtë kompetencave të saj, nxjerrë Konkluzionin 09 Nr.109, të dt. 26.05.2020 dhe pastaj me dt. 29.05.2020, në vendngjarje, në parcelat kadastrale të të dëmtuarës “AgroKosova-Holding”, në lagjen Shirokë të Suharekës, udhëheq me procedurën dhe në kundërshtim me frymën e Konkluzionit nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të investitorit B. G., të ndërtuar pa leje dhe kësi soji i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat të dëmtuarës.

Ndërsa i akuzuari H. M. në cilësinë e inspektorit të ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Suharekës, nuk ndërmerr masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist i ndërtuar nga investitori B. G. në pronën e të dëmtuarës “AgroKosova–Holding”, në lagjen Shirokë të Suharekës, duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një Urdhër-ekzekutimi të lëshuar nga Drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit, pasi kishte përfunduar tashmë ndërtimi, me këto veprime të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material ose i ka shkelur të drejtat e saja.

Poashtu, H. M. akuzohet se nuk ka vepruar sipas Urdhrit të lëshuar nga vetë ai, që obligonte investitorin Xh. R., pronar i objektit afarist–montazh “Viva Fresh”, në fsh. Reshtan-Komuna e Suharekës të pajisej me leje ndërtimi në afat prej 15 ditësh, duke mos e penguar të njëjtin ta vazhdojë ndërtimin e mëtutjeshëm,  poashtu del me vonesë në vend të ngjarjes, nuk vepron sipas procedurës për rrëzimin e ndërtimit pa leje, por sërish i jep afat shtesë investitorit, kësaj here më të gjatë se 30 ditë, që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës”, njofton Prokuroria.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës, që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

RAPORTO