Hamdi Bytyçi: Lamtumirë Dr. Salih Bytyqi, një jetë e përkushtuar për njeriun dhe vendlindjen
Suhareka është në zi pas ndarjes nga jeta të Dr. Salih Bytyqit, një prej figurave më të çmuara të shëndetësisë dhe shoqërisë sonë.
Humbja e tij është më shumë se ikja e një mjeku – është humbja e një njeriu që e jetoi profesionin me përkushtim dhe zemër të madhe, duke shërbyer pa lodhje për qytetarët e komunës dhe për të gjithë ata që kishin nevojë për ndihmë.
Dje, në mbledhjen komemorative të mbajtur në Mushtisht, secili kujtim për të ishte dëshmi e një jete të jetuar me dinjitet, dashuri dhe përkushtim për njeriun. Miq, kolegë, familjarë dhe bashkëpunëtorë ndanë kujtime dhe histori që e bënë sallën të ndizej me emocione. Në secilin prej nesh, Dr. Bytyqi ka lënë gjurmë që nuk do të shuhen.
“Dr. Salih Bytyqi nuk është më fizikisht mes nesh, por shembulli i tij do të mbetet i gjallë. Ai na mësoi se të shërbesh është virtyti më i madh, dhe të duash njerëzit është detyra më fisnike,” ka shkruar kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryetar të Komunës së Suharekës, Ing. Hamdi Bytyçi, duke i dhënë kështu edhe njëherë zë mirënjohjes që qytetarët ndiejnë për të.
Lamtumirë doktor, miku ynë, njeriu ynë. Kujtimi yt do të mbetet përherë në zemrat tona, si shembull i përjetshëm i dashurisë për njeriun dhe për vendin.