Kurti nga Mushtishti: Pensionet nga 90 në 150 euro, mandatin e ardhshëm reformë pensionale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë një takimi me pensionistë në Mushtisht ka diskutuar për projektet dhe mbështetjen që Qeveria ka ofruar për këtë kategori të shoqërisë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se pensionet kanë qenë 90 euro kur kanë marrë qeverisjen, ndërsa fillimisht janë rritur në 100 euro, më pas në 120 euro dhe aktualisht kanë arritur në 150 euro.
Ai theksoi se pensionistëve u janë ndarë edhe gjashtë herë shtesa të njëhershme nga 100 euro, duke shtuar se Qeveria po synon shpërndarje të barabartë të buxhetit për të gjitha kategoritë shoqërore.
Kurti premtoi se në mandatin e ardhshëm do të realizohet edhe reforma pensionale, për të siguruar, sipas tij, trajtim më dinjitoz dhe meritor për pensionistët.
“Qeverisja jonë mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar për mirëqenie dhe drejtësi”, ka shkruar Kurti.
