Dënohet me 1 vit e 6 muaj burg ekzaminieri nga Suhareka

05.03.2021

Ekzaminieri nga Suhareka me inicialet G.K, më 18 shtator të vitit 2019, rreth orës 11:00, në cilësi të ekzaminerit në Qendër për Patentë të Shoferëve në Prishtinë, ka shfrytëzuar pozitën e tij duke marrë instruksione nga i akuzuari E.ZH që t’i ndihmonte një kandidatës në dhënien e provimit teorik për patentë shofer. Në këtë mënyrë, […]

Dënohet me 1 vit e 6 muaj burg ekzaminieri nga Suhareka Foto: Ilustrim

Ekzaminieri nga Suhareka me inicialet G.K, më 18 shtator të vitit 2019, rreth orës 11:00, në cilësi të ekzaminerit në Qendër për Patentë të Shoferëve në Prishtinë, ka shfrytëzuar pozitën e tij duke marrë instruksione nga i akuzuari E.ZH që t’i ndihmonte një kandidatës në dhënien e provimit teorik për patentë shofer.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, G.K pretendohet se iu kishte ofruar kandidates, duke i treguar me gisht pyetjet e sakta me qëllim që ajo të kalonte provimin në mënyrë të kundërligjshme pa pasur njohuri.

Ndërsa, lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë të premtën (05 mars 2021) e ka shpallur fajtor ekzaminierin nga Suhareka, G.K, duke i shqiptuar dënim me burg efektiv në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muaj, dhe dënim plotësues ndalim i ushtrimit të profesionit të ekzaminerit për periudhë 3 vjeçare.

Në dënimin e shqiptuar të akuzuarit i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Gjykata poashtu, ka konfiskuar dhe mjetet në shumë prej 1845 euro të cilat janë gjetur tek i akuzuari sipas urdhëresës së gjykatës për sekuestrim, si dhe ka anuluar testin e provimit me shkrim për kandidaten Sh.H.

Rikujtojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 7 tetor 2019, ndaj G.K dhe E.ZH, për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare” dhe “pranim i ryshfetit në sektorin privat”.