Çfarë thanë ish-krerët e UÇK-së për akuzat e reja për krime të pretenduara të kryera në Budakovë dhe Semetisht të Suharekës
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër ish-krerëve të UÇK-së. Thaçi e nisi i pari në ora 10:00, Veseli në ora 11:15, Krasniqi në ora 14:00 dhe i fundit Selimi në ora 15:15. Në njoftim thuhet se aktakuza e re pritet të rëndohet me akuza të reja që […]
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Thaçi e nisi i pari në ora 10:00, Veseli në ora 11:15, Krasniqi në ora 14:00 dhe i fundit Selimi në ora 15:15.
Në njoftim thuhet se aktakuza e re pritet të rëndohet me akuza të reja që i referohet krimeve që pretendohet të jenë kryera në fshatrat Semetisht dhe Budakovë të Suharekës dhe në Gjilan.
Çfarë tha ish-presidenti Hashim Thaçi për shtimin e akuzave të reja?
Ish-presidenti Hashim Thaçi u paraqit sot para Gjykatës Speciale për shkak të aktakuzës së re, të ndryshuar, të cilën Prokuroria e Specializuar e dorëzoi së fundmi në gjykatë.
Thaçi tha se nuk i ka kuptuar akuzat e reja, por tri herë u deklarua i pafajshëm.
“Nuk i kam kuptuar sepse nuk kam pasur mundësi me i lexuar sepse janë shumë të redaktuara”, tha ai fillimisht.
Gjykatësi Nicolas Guillou i tha se nuk ka nevojë të deklarohet menjëherë rreth pafajësisë, por Thaçi përsëriti deklarimin e tij.
“Deklarohem i pafajshëm, megjithëse lëndën s’e kam lexuar, sepse s’e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm”, tha ish-presidenti.
Sipas rregullorës, ndërsa theksoi se Thaçi ka kohë 30 ditë për t’u deklaruar rreth akuzave, gjykatësi Guillou i tha atij se “nëse dëshironi mund ta bëni këtë vetëdeklarim tani”.
Thaçi e mori fjalën sërish, për t’u deklaruar i pafajshëm për të tretën herë në këtë seancë paragjyqësore.
“Z. gjyqtar, e theksova edhe njëherë, amandamentet tuaja shtesë janë të redaktuara. Jam munduar t’i lexoj, nuk kam arritur, prandaj edhe nuk i kam kuptuar por deklarohem i pafajshëm”, tha ai.
Çfarë tha ish-kreu i UÇK-së, Kadri Veseli për akuzat e reja?
Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli ka dalë para Gjykatës Speciale në seancën dëgjimore pas aktakuzës së re, të ndryshuar të cilën Prokuroria e Specializuar e dorëzoi në gjykatë më 29 prill.
Veseli fillimisht pohoi se e ka marrë aktakuzën e re, të ndryshuar, para se gjykatësi Nicolas Guillou të urdhëronte leximin e akuzave të reja.
Pasi gjykatësi tha se “nuk është momenti për t’i kundërshtuar” dhe e pyeti Veselin nëse i ka kuptuar akuzat e reja, ish-kryetari i PDK-së shprehu dëshirën që gjykimi të fillojë sa më shpejt. Pastaj, ai u deklarua i pafajshëm, raporton Gazeta Express.
“Deklarohetm i pafajshem”, tha Veseli, pasi paraprakisht foli për procesin gjyqësor.
“Faleminderit Z. gjykatës. I kam lexuar. Vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt dhe ta kem të drejtën time ta shpreh pozitën time dhe pafajësinë time para qytetarëve të Republikës së Kosovës, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe para këtij gjyqi të nderuar. Faleminderit shumë”, tha ish-kryeparlamentari.
Pasi gjykatësi lexoi të drejtat që i ofrohen, Veseli tha se do të kishte dashur që ato të mund t’i aplikonte.
“I nderuar Z. gjyqtar, ju falënderoj për të gjitha këto të drejta dhe kisha pasë dëshirë që këto të drejta të cilat i përmendët të kem të drejtë në këtë gjykatë edhe t’i aplikoj”, tha ai.
Çfarë tha ish-kreu i UÇK-së, Jakup Krasniqi për akuzat e reja?
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka dalë para Gjykatës Speciale në seancën dëgjimore pas dorëzimit të aktakuzës së re, me ndryshime, të cilën Zyra e Prokurorit të Specializuar e dorëzoi në gjykatë më 29 prill.
Krasniqi u deklarua i pafajshëm, ndërsa pati një fjalim të gjatë kur gjykatësi Nicolas Guillou e pyeti nëse e ka marrë aktakuzën e re dhe nëse i ka lexuar akuzat.
“I nderuari gjyqtar, zonja dhe zotërinj të të gjitha segmenteve të drejtësisë që jeni të thirrur të mbroni dhe të bëni drejtësi, kërkoj që të më kuptoni drejt. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë njeri me integritet më mënyrën më të qartë në raport me më të fortin, por për më të dobëtin kurrë nuk kam shfaqur as shenja egërsie e as përbuzje, veç dhembshurisë njerëzore. Padrejtësisë, sado e rrezikshme të ishte dhe është edhe sot, nuk i jam përgjigjur me heshtje asnjëherë”, tha fillimisht Krasniqi.
Ish-zëdhënësi i UÇK-së tha se nuk do ta besonte kurrë që do të akuzohej me akuza të mbështetura në gënjeshtrat e Serbisë. Tha se i vjen turp që jeton në këtë kohë.
“Sot po i them disa fjalë. Mbase jam gabim, por kurrë nuk kisha besuar, po të mos ishte ky rast, se juristë të shkolluar në vendet me demokraci liberale, me traditë, që pretendojnë se punojnë në një sistem të drejtësisë kredibile, për të bërë drejtësi standarde, guxojnë të ngrisin një akuzë që mbështetet vetëm e vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë dhe e cila cenon rëndë lirinë, jetën e të drejtën e individit, e madje e godet në palcë të kurrizit të drejtën e një populli për liri e shtetndërtim me një padrejtësi të madhe. Mua më vjen turp që po jetoj në këtë kohë të këtij lloj homosapiensi që me kaq lehtësi ua shkatërron jetën njerëzve dhe familjeve që guxuan të luftojnë për jetën në liri, për demokracinë e pavarësinë”, tha Krasniqi.
Ai tha se gjatë luftës në Kosovë, “nuk besoj se në botë ka pasur një regjim të tillë kriminal e gjenocidal sa e si ishte regjimi i Millosheviqit, të cilit nuk po i mungon as qimja e flokut”.
“Luftërat dhe padrejtësitë nuk janë vepra të të virtytshmëve, por kjo e fundit nuk vlen për luftërat për jetë, për liri e për çlirim”, theksoi Krasniqi.
Në fund të fjalimit, ai tha se i ka lexuar akuzat e reja dhe se nuk i kupton, pasi theksoi se nuk ka bërë asnjë krim. Këtu, Krasniqi kërkoi që gjyqi të fillojë sa më shpejt.
“Unë z. gjyqtar, i kam lexuar dokumentet, aktakuzën, edhe këtë shtesën e fundit, dhe mund të them me bindje të plotë se e kam të vështirë ta kuptoj edhe aktakuzën e parë, edhe vazhdimin, pasi jam i bindur se vepra të tilla kurrë nuk kam kryer në jetën time. Prandaj, deklarohem krejtësisht i pafajshëm. Dhe natyrisht kërkojmë që gjyqi të shpejtohet dhe të mos na mbani kaq gjatë në paraburgim”, tha ai.
Çfarë tha ish-kreu i UÇK-së, Rexhep Selimi për zgjerimin e aktakuzës për krimet e pretenduara në Semetisht e Budakovë?
Ish-shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi pohoi se e ka lexuar tërësisht aktakuzën e re, të ndryshuar, të cilën Zyra e Prokurorit të Specializuar e përpiloi kundër tij dhe ish-krerëve tjerë të UÇK-së dhe e dorëzoi në Gjykatën Speciale më 29 prill.
“Po, e kam marrë aktakuzën dhe e kam lexuar në tërësi”, u përgjigj Selimi, kur gjykatësi Nicolas Guillou e pyeti nëse i ka lexuar dhe kuptuar akuzat e reja,
Pas kësaj, gjykatësi urdhëroi leximin e akuzave të reja.
Selimit iu dha fjala sërish, dhe ai u deklaruar i pafajshëm për të gjitha krimet për të cilat akuzohet.
“Natyrisht që i kam lexuar dhe i kam kuptuar, dhe pohoj edhe njëherë se nuk kam të bëj asgjë me krimet e as me akuzat të prezantuara në këtë aktakuzë”, tha ai.
“I nderuar gjykatës, më lejoni të deklarohem i pafajshëm, sikur në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Selimi kur gjykatësi ia dha fjalën për ta deklaruar pafajësinë.
Ndryshe, Prokuroria rendit akuza për krime që pretendohet të jenë kryer në disa shtëpi nga ish-pjesëtarët e UÇK-së. “Anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa proces të rregullt, duke i mbajtur të arrestuar në lokacione si Budakovë e Semetishtë, në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999. Më 4 korrik, një person (REDAKTUAR) po ngiste mbi një kamionetë, kur tre burra u ndaluan nga (REDAKTUAR) dhe (REDAKTUAR), të cilët kishin veshur uniforma të zeza dhe mbanin pushkë automatike. Një person i tretë me uniformë mbërriti dhe qëndroi përballë me një raketahedhëse. I futën në bagazhin e automjetit dhe i dërguan në një shtëpi në Budakovë. Të tre burrat u vendosën në një bodrum dhe pastaj u rrahën”, thuhet ndër tjerash në pjesër e reja të aktakuzës.
Ish-pjesëtarë të UÇK-së, pa u specifikuar me emra, akuzohen se u kishin shkaktuar “vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike”, si dhe kishin “sulmuar dinjitetin e viktimave, duke i ndaluar në mënyrë arbitrare”.
“Një person (REDAKTUAR) dhe një shqiptar tjetër, kur u arrestuan rreth datës 4 korrik 1998 iu drejtuan edhe armët. Ndërsa po largoheshin nga vendi i arrestimit, u qëllua në (REDAKTUAR). Pas arrestimit tre burrat i dërguan në një shtëpi në Budakovë, dhe i rrahën për një orë. Tre burrat konsideroheshin se ishin bashkëpunëtorë të Serbisë dhe u torturuan edhe me ujë të nxehtë”, thuhet më tej në aktakuzë.
Në versionin e ndryshuar të aktakuzës janë përfshirë edhe vrasje që pretendohet të jenë kryer në Budakovë e Semetishtë.
“Kufomat e të arrestuarve u gjetën rreth datës 23 gusht 1998, me gjurmët e armëve që i përkiste personit (REDAKTUAR). Analiza e ADN-së konfirmoi se njëra nga kufomat e varrosura ishte e (REDAKTUAR)”, thuhet ndër tjerash në aktakuzë, dhe shtohet se kjo “demonstroi qëllimin e tyre për t’i vrarë, ose për t’iu shkaktuar lëndime me dashje”.
Në konviktin e Gjilanit, në disa raste, pretendohet të jenë kryer krime të ngjashme, për të cilat Prokuroria i bën përgjegjës Thaçin dhe të tjerët.
“Në konvikt, një person (REDAKTUAR), u kontrollua dhe iu morën çelësat e veturës, dhe iu shqye patent-shoferi. Ai pasi u arrestua, u rrah me shkopinj, dhe njëri prej personave e vendosi pistolentën te viktima. Rrahja u krye në mënyrë të organizuar, dhe një nga personat jepte udhëzime si të kryhej rrahja”, thuhet në pjesët shtesë të aktakuzës.
Përmendet edhe një rast tjetër, ku sipas Prokurorisë, një person ishte rrëmbyer në Gjilan për t’u dërguar drejt konviktit, dhe sipas Prokurorisë “nuk u pa kurrë më”.
“Trupi i tij u gjet më 2 qershor 2000. Vetëm dy ditë më vonë, një tjetër person, u arrestua dhe u dërgua në konvikt dhe nuk u pa më kurrë. Trupi i tij u gjet në vitin 2022”, thuhet në aktakuzë.
ANNEX-5-to-Submission-of-amended-Indictment-and-related-documents ANNEX-6-to-Submission-of-amended-Indictment-and-related-documents ANNEX-7-to-Submission-of-amended-Indictment-and-related-documents