Çfarë ndodhi në Suharekë? Ngjarjet nga java e kaluar

01.02.2021

Si çdo javë tjetër edhe kjo javë në Komunën e Suharekës u përmbyll me ngjarje nga më të ndryshmet, por në përgjithësi ishte javë më e qetë. SuharekaOnline ka përmbledhur disa nga ngjarjet e kësaj jave duke filluar nga arsimi, politika, ngjarejt nga policia e deri tek sporti. Pas një jave të procesit mësimor SuharekaOnline […]

Çfarë ndodhi në Suharekë? Ngjarjet nga java e kaluar Foto: Ilustrim

Si çdo javë tjetër edhe kjo javë në Komunën e Suharekës u përmbyll me ngjarje nga më të ndryshmet, por në përgjithësi ishte javë më e qetë.

SuharekaOnline ka përmbledhur disa nga ngjarjet e kësaj jave duke filluar nga arsimi, politika, ngjarejt nga policia e deri tek sporti.

Pas një jave të procesit mësimor SuharekaOnline kishte kontaktuar Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani i cili kishte treguar se procesi mësimor, gjysmëvjetori i dytë po zhvillohet në bazë të planit.

Ai gjithashtu, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave janë infektuar me COVID-19 dy mësimdhënëse në SHMFU “Vaso Pashë Shkodrani” në fshatin Leshan.

Gjithashtu, gjatë kësaj jave SuharekaOnline ka kontaktuar edhe drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani pasi që në orët e pasditës të së hënës në vendin tonë temperaturat kanë pësuar rënie me ç’rast ka mbajtur mot i ndryshueshëm, fillimisht me reshje shiu ku në orët e vona janë shoqëruar edhe me reshje bore.

Ai kishte bërë të ditur se të gjitha rrugët në Komunën e Suharekës ishin të kalueshme, duke e përjashtuar rrugën e cila lidhë fshatrat Nëpërbisht-Tërrnje.

Shabani kishte thënë se si pasojë e ngritjes së nivelit të ujërave rruga Nëpërbisht-Tërrnje kishte qenë e pakalueshme, megjithatë ekipet e kontraktuara kishin qenë vazhdimisht në terren dhe kanë intervenuar sipas nevojës.

Gjithashtu gjatë kësaj jave nuk kanë munguar as zhvillimet politike, të cilat ishin të shumta në të gjithë Kosovën.

SuharekaOnline gjatë kësaj jave kishte ftuar në studio, kandidatin për deputet nga LVV, Salih Zyba i cili gjatë intervistës ka treguar se slogani i tyre nënkupton se krejt vullneti dhe energjia do të jetë drejt e koncentruar në funksion të kësaj ndryshimi do të thotë përfshirja është krejt dhe drejt.

Tutje, ai ka folur edhe për sloganet e tjera, duke e theksuar atë të Partisë Demokratike të Kosovës, “Rimëkëmbje” e që thotë se kjo nuk është aktuale.

Në studion e SuharekaOnline gjatë javës së kaluar i ftuar ka qenë edhe Ish-kryetari i Komunës së Suharekës, njëherit kandidat për deputet nga radhët e LDK’së, Dr. Sali Asllanaj, i cili ka thënë se lista e kandidatëve me deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat pritet të mbahen me 14 shkurt të këtij viti është listë e plotë sepse në vete bartë njerëz të cilët kanë masë prapa vetës.

I pyetur se a do të kandidonte përsëri për kryetar të komunës, Asllanaj e ka përjashtuar këtë mundësi, ku edhe kandidatura e tij për zgjedhjet e 14 shkurtit ka ardhur si rezultat i degës dhe partisë.

Në javën që lam pas në Suharekë është mbajtur mbledhja e parë e Asaamblesë Komunale e ku nëra ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe kërkesa e FC Ballkanit drejtuar kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, për mbulimin e shpenzimeve të fazës përgatitore për klubin në vlerë prej 88 mijë euro.

Kjo pikë ka ngjallur diskutime të shumta në mesin e asambleistëve. Fillimisht ishte Dardan Berisha nga PDK, i cili këtë shumë e ka konsideruar si shpenzime lluksi dhe përmes kësaj po mundohen t’i lajthitin dhe që kjo është e papranueshme.

Në anën tjetër edhe asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Laureta Tafaj, i është drejtuar kryetarit të komunës që shumën prej 20 mijë euro ta ndajë për të riun i cili po kërkon shërim, ndoshta edhe ai në Turqi, njejtë si ata që kanë qenë për përgatitje, gjithashtu ajo ka kërkuar që edhe 20 mijë euro të dërgohen në ato fshatra që janë dëmtuar nga vërshimet.

Kundër këtij projekt-vendimi ka qenë edhe asambleisti nga LDK, Nexhat Ramadani i cili ka kërkuar formë tjetër buxhetore për mbështetjen e klubit.

Edhe Jeton Rrakaqi nga PDK ka ngritur shqetësime lidhur me shumën e kërkuar nga FC Ballkani, ku sipas tij klubi në Durrës nuk ka qëndruar 11 ditë por 6 ditë, kjo sipas postimeve të klubit, dhe shuma që ka mundur të shpenzohet nuk e kalon vlerën e 4 mijë eurove, ka thënë Rrakaqi.

Pavarësisht diskutimeve, ky projekt-vendim është miratuar me 11 vota për, 6 kundër dhe 2 abstenime.

Ndërsa, ngjare nga më të ndryshmet u raportuan edhe nga Policia e Suharekës, ku është bërë e ditur se të martën një person nga Suhareka është gjetur nga familjarët e tij i alivanosur.

Sipas informacioneve që kishte pasur SuharekaOnline bëhej e ditur se rreth orës 16:20 një person nga Suhareka është gjetur nga familjarët e tij i alivanosur e i cili është dërguar për tretman mjeksor në Spitalin Rajonal në Prizren.

Gjithashtu edhe të premtën një person kishte raportuar në policinë e Suharekës se është sulmuar fizikisht dhe është plaçkitur.

Në bazë të informacioneve që kishte SuharekaOnline bëhej e ditur se viktima (taksist) ka njoftuar policinë se dy persona të panjohur nën kërcënimin e thikës i kanë grabitur para të gatshme 87 euro dhe dy telefona.

Ndërsa, të shtunën një person nga fshati Dobërdelan, është vetplagosur me armë gjuetie.

Sipas informacioneve që kishte siguruar SuharekaOnline mësohej se të shtunën rreth orës 15:10 një person nga fshati Dobërdelan është vetplagosur dhe që i njëjti kishte kërkuar tretman mjekësor në QKMF-në e Suharekës. I dyshuari më pas është dërguar në spitalin rajonal në Prizren për tretman ku më pas është liruar për në shtëpi.

Lidhur me këtë rast njësitë relevante policore kanë dalur në vendin e ngjarjes ku kanë konfiskuar një pushkë gjuetie dhe 16 fishek te cal. 16 mm.

E krejt në fund artikullin e përmbyllim me një lajm nga sporti, të premten në zyrat e FBK-së është organizuar konferenca për media, që për shkak të pandemisë, ka qenë i kufizuar, ku janë shpalosur detaje nga garat e Kupës dhe është nënshkruar zyrtarisht marrëveshja mes FBK-së dhe Yllit.

Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së ka thënë se kjo garë është ndër më të rëndësishmet për vitin 2021.

“Të hënën Bordi i FBK-së ka vendosur që Final 8 të organizohet në Suharekë. Dita e sotme me nënshkrimin e marrëveshjes është vetëm formale, sepse puna intensive ka filluar nga dita e hënë. Tashmë dihet edhe orari për Kupë, ku në konkurrencën e femrave finalja do të jetë ndërmjet skuadrave me traditë në basketbollin e femrave, Prishtinës dhe Bashkimit, derisa te meshkujt, për tri ditë do të zhvillohen çerekfinalet dhe gjysmëfinalet, për tu përcaktuar finalistët. Sa i përket shikuesve, ne kemi dorëzuar një kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për 15 ose 20 % të lejimit të tifozëve, por ende nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare. Nëse lejohen shikuesit, numri i tyre do të jetë rreth 200, që do t’i zbatojnë masat, si distanca dhe maskat”, është shprehur ndër të tjera Dushku në konferencën për media, duke besuar se garat e Kupës do të sjellin spektakël dhe gjithçka do të shkojë sipas planit.

Përgatiti, Eurolinda Zenelaj