Biblioteka “Hajdin Berisha” në Suharekë krijon klubin e leximit për të rritur “Zgjimi”

04.10.2025

Biblioteka e qytetit të Suharekës “Hajdin Berisha” ka njoftuar krijimin e klubit të ri të leximit për të rritur, me emrin domethënës “Zgjimi”.

Ky klub i sapothemeluar do të jetë një hapësirë e hapur për të gjithë të apasionuarit pas librit, me synimin për të promovuar leximin, për të ndarë mendime e përvoja personale dhe për të zhvilluar diskutime të frytshme rreth veprave letrare.

Përmes “Zgjimit”, biblioteka synon të rikthejë edhe më fuqishëm kulturën e leximit në komunitet dhe të ndërtojë një rrjet të ngushtë lexuesish që e shohin librin si burim kënaqësie, frymëzimi dhe rritjeje shpirtërore.

“Leximi është çelësi që zgjon mendjen dhe pasuron shpirtin” – thuhet në njoftimin e bibliotekës, duke theksuar rolin qendror që libri luan në zhvillimin personal dhe shoqëror.