Biblioteka “Hajdin Berisha” dhuron libra për shkollat në Vraniq dhe Bllacë

20.11.2025

Gjatë ditëve të mërkurë dhe të enjtes, Biblioteka e Qytetit “Hajdin Berisha” në Suharekë ka realizuar një vizitë të veçantë në shkollat SHFMU “Dëshmoret e Kombit” në Vraniq dhe “Ramë Bllaca” në Bllacë, ku ka dhuruar libra për bibliotekat shkollore.

Ky aktivitet u zhvillua si pjesë e përpjekjeve të bibliotekës për të nxitur bashkëpunimin me institucionet arsimore dhe për të mbështetur zhvillimin e leximit te nxënësit.

Përmes këtij takimi, u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe mbështetjes së vazhdueshme për shkollat e komunës, duke kontribuar drejtpërdrejt në pasurimin e bibliotekave shkollore.

Në Shkollën Fillore “Ramë Bllaca”, sloganin frymëzues “Today a reader, tomorrow a leader” e kanë bërë pjesë të përditshmërisë së bibliotekës, duke krijuar një ambient ku çdo nxënës mund të gjejë motivim për të lexuar dhe për të zhvilluar aftësitë e tij. Ambientet e bibliotekës janë të rregulluara me kujdes, duke ofruar qetësi, komoditet dhe një atmosferë të ngrohtë për lexim.

Gjatë vizitës, biblioteka dhuroi një pako me libra, si kontribut për pasurimin e fondit të bibliotekës dhe si mbështetje për nxënësit që duan të lexojnë më shumë. Ky veprim nënvizon përkushtimin e Bibliotekës “Hajdin Berisha” për promovimin e kulturës së leximit dhe edukimit në komunitet.