Biblioteka “Hajdin Berisha” në Suharekë dhuron libra në tri shkolla
Biblioteka e Qytetit të Suharekës “Hajdin Berisha” ka zhvilluar disa vizita në tri shkolla të komunës, duke forcuar bashkëpunimin me institucionet arsimore dhe duke dhuruar pako librash për pasurimin e fondit të tyre.
Foto: Ilustrim
Vizitat nisën në Shkollën Fillore “Edit Durham” në Mushtisht, ku përfaqësuesit e bibliotekës u takuan me drejtorin e shkollës, Feim Beluli, dhe sekretarin, Bardhyl Osmani.
Të dyja palët diskutuan për mënyrat e bashkëpunimit në mbështetje të nxënësve dhe mësimdhënësve. Në përfundim të takimit, biblioteka dhuroi një pako librash, si kontribut për nxitjen e kulturës së leximit tek fëmijët.
Më pas, ekipi i bibliotekës vizitoi Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” në Semetisht, ku u pritën nga stafi drejtues dhe mësimdhënësit. Fokus i bisedës ishte ecuria e mësimit dhe aktivitetet e përbashkëta që mund të zhvillohen në të ardhmen. Edhe në këtë shkollë u dhurua një pako librash për pasurimin e fondit ekzistues.
Vizita përmbyllëse u realizua në Shkollën Fillore “Dëshmorët e Tivarit” në Peqan. Drejtori i shkollës, Fidaim Grulaj, së bashku me staf pedagogjik, mirëpritën përfaqësuesit e bibliotekës dhe shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit. Edhe këtu u dhurua një pako librash, si pjesë e iniciativës për zhvillimin e kulturës së leximit.
Nga Biblioteka e Qytetit “Hajdin Berisha” theksojnë se qëllimi i këtyre vizitave është të mbështeten nxënësit përmes pasurimit të fondit librar dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta edukative.
Institucioni njofton se iniciativa do të vazhdojë edhe në shkolla të tjera të komunës.