Bajselmani: Mësimi filloi sipas planit në të gjitha shkollat e Komunës së Suharekës

Bajselmani: Mësimi filloi sipas planit në të gjitha shkollat e Komunës së Suharekës
Eurolinda Zenelaj

12.04.2021 / Suhareka

Pas një jave pushim pranveror, sot, nxënësit e klasave të para deri tek klasat e pesta janë rikthyer në bankat shkollore për të vazhduar procesin mësimor në mënyrë fizike.

Edhe në shkollat e Komunës së Suharekës procesi mësimor për klasat e lart shënuara ka filluar në mënyrë fizike, kështu ka bërë të ditur në një prononcim për SuharekaOnline drejtori i Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani.

”Po, mësimi në mënyrë fizike ka filluar në të gjitha shkollat e komunës, për klasat e para deri në ato të pesta dhe poashtu në javën që lamë pas është bërë pastrimi dhe dezinfektimi i të gjitha shkollave” tha Bajselmani.

Ndërsa nxënësit e klasave nga 6-ta deri në klasat e 12-ta mësimi ka vazhduar në mënyrë online, kjo si shkak i pandemisë COVID-19 dhe masat që u morën nga Qeveria e Kosovës.

”Për klasët e 6-9 dhe 10-12 procesi mësimor është zhvilluar me mësim online, ku të gjitha shkollat kanë krijuar kushte dhe mundësi për përdorim të teknologjisë dhe kontaktet me nxënës” ka shtuar Bajselmani.

Poashtu, drejtori i DKA-Suharekë, Remzi Bajselmani për SuharekaOnline ka bërë të ditur se situata me pandeminë COVID-19, në shkollat e Komunës së Suharekës, është stabile dhe e menaxhueshme pasiqë nuk është identifikuar asnjë rast pozitiv me COVID-19.

Ndër tjerash, ai ka bërë thirrje për të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit e Komunës së Suharekës që të respektojnë masat anti-COVID, në mënyrë që të ruhet shëndeti i të gjithëve.

RAPORTO