84 aksidente trafiku për 6 muaj në rrugët e Suharekës

21.06.2023

Mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, kushtet atmosferike, gjendja jo e mirë e rrugëve, ngarkesa e komunikacionit dhe mosrespektimi i shenjave të trafikut janë vetëm disa nga shumë arsyet e aksidenteve në trafik. Shumë herë vendi ynë është tronditur nga aksidentet të cilat kanë përfunduar me fatalitet, shkruan SuharekaOnline. Për dallim nga vitet tjera, […]

84 aksidente trafiku për 6 muaj në rrugët e Suharekës Foto: Ilustrim

Mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, kushtet atmosferike, gjendja jo e mirë e rrugëve, ngarkesa e komunikacionit dhe mosrespektimi i shenjave të trafikut janë vetëm disa nga shumë arsyet e aksidenteve në trafik.

Shumë herë vendi ynë është tronditur nga aksidentet të cilat kanë përfunduar me fatalitet, shkruan SuharekaOnline.

Për dallim nga vitet tjera, viti 2023 për Suharekën ka qenë i qetë sa u përketë aksidenteve në trafik, një gjë e tillë po bëhet e ditur nga Stacioni Policor në Suharekë, ku për SuharekaOnline kanë konfirmuar se gjatë këtyre 6 muajve të parë të këtij viti nuk është regjistruar asnjë aksident trafiku me fatalitet.

Në një përgjigjje për redaksinë, Komandanti i Stacionit të Policisë në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj ka njoftuar se përgjatë kësaj periudhe (janar-qershor) në Komunën e Suharekës janë regjistruar 84 aksidente trafiku, prej të cilave vetëm 5 kanë përfunduar me persona të lënduar.

Ndërsa, 79 aksidente të tjera të cilat ndodhën në rrugët e Suharekës kanë përfunduar me dëme materiale.

Lloji i aksidentit në trafikNumri i aksidenteve në trafik-Suharekë (JANAR-QERSHOR)
Aksidente trafiku me fatalitet0
Aksidente trafiku me persona të lënduar5
Aksidente trafiku me dëme materiale 79
TOTALI:84

Mirëpo, pavarësisht kësaj viteve të kaluara Suhareka është tronditur nga humbja e njerëzve të saj në disa nga aksidentet e trafikut të cilat ishin në periudha dhe rrugë të ndryshme.

Rasti i fundit ku aksidenti ka përfunduar me fatalitet, sipas raporteve të policisë është vetaksidenti në fshatin Studençan të Suharekës, ku humbi jetën një 23 vjeçar E.M.

Rikujtojmë se aksidenti ndodhi në mbrëmjen e 12 gushtit të vitit 2022, ku sipas raporteve të policisë bëhet e ditur se E.M derisa ishte duke drejtuar automjetin nga pakujdesia ka shkaktuar vetaksident trafiku, e si pasojë vozitësi ka humbur jetën.

“Rreth orës 19:40 në fshatin Studeçan të Suharekës ka ndodhur një vetaksident. Së pari i lënduari është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit, më pas po bëhej gati që të transferohej në QKUK, por ka ndërruar jetë para se të nisej për atje. Sipas informacioneve, viti i lindjes së viktimës është 1999” thuhej në raport, përcjellë SuharekaOnline.

Policia e Kosovës në Suharekë vazhdimisht apelon tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve të tyre në mënyrë që të shmangen aksidentet e mundshme.