Spanja eliminon Portugalinë
Spanja ka siguruar një vend në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Portugalinë me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen e fazës së 1/8 së finales, të zhvilluar në Dallas Stadium.
Foto: Ilustrim
Heroi i takimit ishte Mikel Merino, i cili realizoi golin e vetëm në minutën e parë shtesë (90+1), pas një asistimi nga Ferran Torres, duke i dhënë skuadrës së drejtuar nga Luis de la Fuente fitoren dhe kualifikimin.
Pjesa e parë solli raste nga të dyja skuadrat, por pa gola. Mikel Oyarzabal humbi mundësinë më të mirë për Spanjën, ndërsa portieri Diogo Costa bëri një pritje vendimtare ndaj goditjes së Alex Baenës. Në anën tjetër, Portugalia iu afrua golit kur goditja e Nuno Mendes u devijua dhe përfundoi në traversë.
Në pjesën e dytë ekipet treguan më shumë kujdes në mbrojtje, por kur ndeshja po shkonte drejt vazhdimeve, dy zëvendësuesit Ferran Torres dhe Mikel Merino kombinuan për golin vendimtar që vulosi fitoren e Spanjës.Me këtë sukses, Spanja avancon në çerekfinale, ku do të përballet me fituesin e duelit mes SHBA-së dhe Belgjikës.
Ndeshja pritet të ketë qenë edhe paraqitja e fundit e Cristiano Ronaldos në një Kupë Bote. Sulmuesi 41-vjeçar kishte deklaruar para sfidës se ky do të ishte Botërori i tij i fundit, duke e mbyllur karrierën në këtë kompeticion me 11 gola në 27 ndeshje dhe si futbollisti i parë që ka shënuar në gjashtë edicione të ndryshme të Kupës së Botës.
Spanja vendosi gjithashtu një rekord të ri në histori të Botërorit, duke u bërë skuadra e parë që regjistron gjashtë ndeshje radhazi pa pësuar gol.
