Presidenti i FFK-së: Në edicionin e ardhshëm do të jemi me VAR në Superligën e Kosovës

04.01.2021

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka konfirmuar se qysh në edicionin e ardhshëm Superliga do jetë me VAR dhe ka paralajmëruar ndryshime në postin e përzgjedhësve të Kombëtareve. Kombëtarja e Kosovës vitin që lamë pas ishin në një formë jo të mirë, duke fituar vetëm një ndeshje, një barazim dhe […]

Presidenti i FFK-së: Në edicionin e ardhshëm do të jemi me VAR në Superligën e Kosovës Foto: Ilustrim

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka konfirmuar se qysh në edicionin e ardhshëm Superliga do jetë me VAR dhe ka paralajmëruar ndryshime në postin e përzgjedhësve të Kombëtareve.

Kombëtarja e Kosovës vitin që lamë pas ishin në një formë jo të mirë, duke fituar vetëm një ndeshje, një barazim dhe katër humbje.

Po ashtu presidenti i FFK-së theksoi se do të ketë ndryshime në postin e trajnerëve.

“Sigurisht, do këtë lëvizje dhe ndryshime gjithmonë për të mirë sepse tashmë kërkohet rezultat dhe unë jam udhëtar i fitoreve. Kemi krijuar mentalitetin e fituesit. Rezultatet të mbajnë në secilin post dhe secilin vend, kështu që me këtë parim do vazhdojmë edhe me trajnerët tonë dhe grupet tona, të gjitha që nga U21 e ndoshta edhe te A-ja do këtë lëvizje, por nga kategoritë do kërkojmë rezultat”, deklaroi fillimisht ai.

Ndërsa, tutje ai konfirmoi se edicionin e ardhshëm do të jemi me VAR-in në Superligën e Kosovës dhe tashmë trajnimi ka nisur.

“Me VAR-in tashmë kemi filluar, kemi nisur trajnimi dhe bisedimet me njerëzit kompetent në UEFA dhe FIFA për VAR. Jemi duke bërë çmos që sezonin e ardhshme të jemi me VAR, mund të jemi pa të në dy ose tri xhirot e para, por do e kemi edicionin e ardhshëm edhe pse nuk e kemi infrastrukturën aq të mirë, gjithsesi do shkojmë me gjëra mobile, me VAR-in mobil, pra mjet lëvizës që do shkojë para çdo stadiumi siç janë kampionat transmetues për të përcjellë VAR-in dhe ta mbulojmë tërë Superligën”, u shpreh Ademi.

Ndërkohë, kujtojmë se lideri momental i Superligës së Kosovës është Drita.