Hoxha para duelit me Serbinë: Sfidë e vështirë, do të japim maksimumin për kualifikim

para 46 dite

Kombëtarja shqiptare e futbollit po vazhdon përgatitjet intensive për përballjen e rëndësishme kundër Serbisë, e cila do të zhvillohet këtë të shtunë në “Arenën Kombëtare”.

Hoxha para duelit me Serbinë: Sfidë e vështirë, do të japim maksimumin për kualifikim

Ndeshja është vendimtare në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

Sulmuesi kosovar i Shqipërisë, Arbër Hoxha, ka folur sot në një konferencë për media lidhur me pritshmëritë për këtë duel tejet emocional dhe sportiv. Hoxha theksoi se lojtarët duhet të tregojnë profesionalizëm maksimal në këtë takim.

Sipas tij, skuadra kundërshtare ka cilësi të larta, por sulmuesi i Shqipërisë shprehu bindjen se ekipi kuqezi do të japë maksimumin në fushë.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Kundërshtari ka shumë cilësi. Ne do të japim maksimumin. Shpresojmë dhe besojmë që do ta fitojmë ndeshjen”, deklaroi Hoxha.

Ai shtoi se kjo ndeshje ka një peshë të madhe për fatet e kualifikimit në Botëror. “Kjo ndeshje është e vështirë dhe besoj që vendos një vend për kualifikueset e Botërorit. Shpresoj që do ta fitojmë ndeshjen dhe të arrijmë në Botëror”, theksoi Hoxha, duke shprehur aspiratën e ekipit për të siguruar një vend në kompeticionin më të madh të futbollit.

Të gjithë sytë e tifozëve shqiptarë do të jenë drejtuar nga ky takim, me shpresën se kuqezinjtë do të arrijnë një rezultat pozitiv dhe do të vazhdojnë rrugëtimin drejt ëndrrës së Kupës së Botës.

Etiketat

Ofertat e fundit