Bie numri i lindjeve në Kosovë, rritet ai i shkurorëzimeve
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat preliminare për muajin shtator 2025, duke përfshirë lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet në vend.
Foto: Ilustrim
Të dhënat tregojnë ndryshime të dukshme krahasuar me muajin gusht 2025.
Në muajin shtator janë regjistruar gjithsej 2,510 lindje, përfshirë ato brenda dhe jashtë Kosovës. Prej tyre, 1,311 kanë qenë lindje të meshkujve dhe 1,199 të femrave. Ky numër shënon një rënie të lehtë prej rreth 0.2% krahasuar me gushtin e kaluar, sipas ASK-së.
Sa i përket vdekjeve, gjatë shtatorit janë regjistruar 909 raste, prej të cilave 508 meshkuj dhe 401 femra. Krahasuar me muajin gusht, numri i vdekjeve ka shënuar një ulje të vogël prej 0.6%.
Një rënie më e ndjeshme është vërejtur te kurorëzimet, me gjithsej 1,234 martesë të regjistruara gjatë shtatorit, që përbën një ulje prej 37.4% krahasuar me gushtin 2025. Ndërsa shkurorëzimet kanë shënuar një rritje, me gjithsej 133 raste të regjistruara, duke shënuar një rritje prej 37.1% nga muaji i mëparshëm.
Të dhënat e publikuara nga ASK japin një pasqyrë të qartë mbi trendet demografike në Kosovë dhe ndryshimet që ndodhin çdo muaj në fusha të rëndësishme si lindjet, vdekjet dhe marrëdhëniet martesore.