Rama: Shqipëria synon të arrijë në 20 milionë turistë në vit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se vendi synon të rrisë numrin e turistëve të huaj në 20 milionë në vit.
Foto: Ilustrim
Duke folur gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Staten Island të Nju-Jorkut, Rama tha se Shqipëria aktualisht ka arritur në rreth 12 milionë vizitorë të huaj, ndërsa objektivi i radhës është rritja e mëtejshme e këtij numri.
Ai theksoi se, përveç rritjes së numrit të turistëve, rëndësi të veçantë ka tërheqja e investimeve cilësore dhe rritja e të ardhurave që gjenerohen nga turizmi.
“Ajo që është shumë e rëndësishme për ne në këtë fazë është që të kemi më shumë investitorë cilësorë, në mënyrë që të kemi më shumë turistë që sjellin vlerën më të lartë gjatë qëndrimit të tyre”, u shpreh Rama.
Sipas tij, turizmi në Shqipëri aktualisht mbështetet në masë të konsiderueshme nga turistë me të ardhura mesatare dhe të ulëta. Për këtë arsye, synimi është zhvillimi i turizmit të nivelit më të lartë, përmes investimeve që do të tërheqin turistë me fuqi më të madhe shpenzuese.
Rama foli gjithashtu për rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke e lidhur një pjesë të saj edhe me kontributin e diasporës.
