Kosova ofron mbështetje për Shqipërinë dhe Malin e Zi në përballjen me zjarret

14.08.2026

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova është e gatshme t’u ofrojë mbështetje Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilat po përballen me zjarre në zona të ndryshme të vendeve të tyre.

Maqedonci ka njoftuar se homologëve të tij, ministrave të Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Malit të Zi, u ka përcjellë gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes për të vënë në dispozicion kapacitetet që Kosova i ka në dispozicion për përballimin e situatës.

Ai ka theksuar se, nëse autoritetet përkatëse vlerësojnë se ndihma është e nevojshme, Kosova është e gatshme të kontribuojë në menaxhimin e situatës së shkaktuar nga zjarret.

Sipas Maqedoncit, në momente të tilla solidariteti dhe bashkëpunimi ndërmjet vendeve marrin rëndësi të veçantë.

“Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet tjera të Republikës mbeten të gatshme të ofrojnë mbështetje dhe të kontribuojnë aty ku kapacitetet tona mund të jenë të dobishme”, ka shkruar ai.