Sot zgjedhje në Shqipëri, e ardhmja evropiane dhe polarizimi politik.

11.05.2025

Shqiptarët po votojnë sot në zgjedhjet parlamentare, të cilat konsiderohen vendimtare për të matur zhvillimin demokratik të vendit dhe për të përcaktuar të ardhmen e tij evropiane, raporton AFP.

Këto zgjedhje shënojnë një moment historik, pasi për herë të parë, edhe shqiptarët në mërgim kanë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Në garë përballen kryeministri në largim, Edi Rama, dhe kundërshtari i tij i betuar, Sali Berisha, një politikan i djathtë që kryeson një aleancë të partive opozitare.

Rama, 60 vjeç, lider i Partisë Socialiste që nga viti 2005, synon mandatin e katërt radhazi, një arritje e paparë në historinë politike shqiptare. Ai ka premtuar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, duke e konsideruar Brukselin si çelësin për “t’u dhënë shqiptarëve një pasaportë evropiane” dhe për t’i barazuar ata me qytetarët e tjerë evropianë.

Nga ana tjetër, Sali Berisha, 80 vjeç, ish-president dhe ish-kryeministër, kërkon rikthimin në pushtet pas 12 vjetësh. Ai udhëheq koalicionin opozitar me sloganin “Shqipëria e Madhe”, duke premtuar ringjallje ekonomike. “Ne jemi të vetmit që mund ta rivendosim ekonominë e vendit, të vetmit që mund ta çojmë Shqipërinë përpara. Edi Rama po numëron ditët e fundit të regjimit të tij,” deklaroi Berisha.

Fushata zgjedhore është karakterizuar nga një polarizim i thellë politik dhe një gjuhë e ashpër, veçanërisht në rrjetet sociale. Sondazhet e fundit tregojnë një epërsi të Partisë Socialiste të Ramës.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka shprehur shqetësimin për “polarizimin ekstrem politik” në Shqipëri, një vend me 2.8 milionë banorë.