Pesë kadetë nga Kosova diplomojnë në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë
Me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, u zhvillua ceremonia e diplomimit të gjeneratës së re të kadetëve në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.
Foto: Ilustrim
Në këtë ceremoni të veçantë, u diplomuan me sukses edhe pesë kadetë nga Kosova, të cilët tashmë do t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si oficerë të përgatitur për të kontribuar në zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Lajm i rëndësishëm që u bë i ditur gjatë ceremonisë është se për vitin e ardhshëm, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrin Vengu dhe Gjeneralin Kingji, është arritur të katërfishohet numri i kadetëve nga Kosova që do të ndjekin studimet në këtë akademi prestigjioze.
Ky zhvillim dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës në forcimin e partneritetit me Shqipërinë dhe rritjen e investimeve në edukimin dhe përgatitjen profesionale të gjeneratave të reja ushtarake. Edukimi i kadetëve mbetet një ndër prioritetet strategjike për të ardhmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.