Parlamenti Europian miraton progresraportin për Shqipërinë 2023–2024
Parlamenti Europian ka miratuar sot në seancë plenare në Strasburg raportin mbi progresin e Shqipërisë për vitet 2023–2024.
Dokumenti, i përgatitur nga raportuesi Andreas Schieder, mori 502 vota pro, 120 kundër dhe 64 abstenime.
Raporti thekson rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, mbrojtjes së lirisë së medias dhe adresimit të polarizimit politik në vend. Ai gjithashtu nxit institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të ruajnë një qasje të drejtë dhe të bazuar në merita ndaj Shqipërisë.
Pas votimit, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cilësoi raportin si një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Ajo theksoi se raporti përkon me vullnetin e shprehur nga qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e 11 majit dhe riafirmoi përkushtimin për përshpejtimin e reformave drejt anëtarësimit.