Mbajtën peng dhe e rrahën një kosovar për përfitimin e 70 mijë euro, arrestohen 3 të dyshuar në Shqipëri
Një operacion i suksesshëm i Policisë së Vlorës ka çuar në kapjen në flagrancë të tre personave, të cilët dyshohet se kishin mbajtur peng dhe dhunuar një shtetas nga Kosova për përfitim financiar.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimit zyrtar, sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale në DVP Vlorë, pas marrjes së informacionit nga familjarët, filluan menjëherë punën për lokalizimin e apartamentit ku viktima mbahej peng.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Hostage’, u kapën në flagrancë shtetasit: J. Z., 25 vjeç, O. Ç., 18 vjeç dhe V. A., 35 vjeç, të tre banues në Vlorë”, thuhet në raport.
Hetimet kanë treguar se këta shtetas në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja Osman Haxhiu, kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng që prej 28 nëntorit 2025, shtetasin F. X., 39 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë. Viktima është dhunuar fizikisht dhe i është kërkuar shuma prej 70,000 eurosh për lirimin e tij.
Gjatë operacionit policor, shtetasi i mbajtur peng u lirua menjëherë dhe mori kujdesin e nevojshëm shëndetësor, ndërsa gjatë kontrollit në banesë u sekuestrua:
- Një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, në posedim të J. Z.;
- Një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale:
- “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim;
- “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;
- “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Policia e Vlorës thekson se operacioni tregon profesionalizmin dhe reagimin e shpejtë të strukturave ligjzbatuese për të mbrojtur qytetarët dhe për të ndëshkuar çdo veprim kriminal që rrezikon jetën dhe sigurinë e personave.